Organizata Kombëtare e Inteligjencës në Turqi (MIT) dhe Dega e Antiterrorit në Stamboll (TEM) kanë publikuar pamjet e arrestimit të shqiptarit Liridon Rexhepi. Newsbomb.al ka raportuar më herët për të riun nga Kosova, që akuzohet se financonte agjentët izraelitë në territorin turk.
Rexhepi ka menaxhuar operacionet financiare të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi. Ndërkohë, gjatë shoqërimit në polici ai ka pranuar se ka kryer transferta të shumta parash.
Siç shihet nga këto pamje dhe lajmet që tashmë kanë bërë jehonë në mediat turke, agjentët e Drejtorisë së Antiterrorit e kanë prangosur shqiptarin e Kosovës dhe e akuzojnë atë zyrtarisht se ka financuar agjentët izraelitë në Turqi dhe ka kryer përgjime me dron kundër politikanëve palestinezë.
Aktivitetet e Liridon Rexhepit, duke përfshirë edhe transaksionet e dyshimta në llogaritë e tij, monitoroheshin nga MIT.
Hetimi përcaktoi se ai transferoi shuma të konsiderueshme parash përmes Western Union tek agjentët e MOSSAD në terren në Turqi, ndaj aktivitetet e tij ishin gjurmuar që nga hyrja në vend më 25 gusht e deri ditën që u ndalua më 30 gusht.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu Agency raporton se nga operacionet e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) është zbuluar se MOSSAD izraelit ka financuar agjentët e vetë në terren në Turqi përmes vendeve të Evropës Lindore, kryesisht në Kosovë.
Hetimi tregoi se fondet nga Kosova u transferuan në burime në Siri përmes Western Union dhe kriptomonedhës.