Nga Bledi Lumani
Kryeministri Edi Rama ka postuar një video ku shiheshin forcat e armatosura duke vënë përpara njerëzit me shkopinj gome, duke pretenduar se ajo është bërë në Spanjë këto ditë, për të shpërndarë njerëzit që nuk respektonin karantinën.
Video doli se në fakt është xhiruar në Algjeri, ku shpërndaheshin me dhunë protestuesit opozitarë.
Aq u desh, dhe të gjithë iu turrën Ramës, i cili reagoi duke kërkuar ndjesë, por duke thënë se videon nuk e heq.
Dhe me të drejtë, pasi nuk ka rëndësi ku dhe pse është bërë video, por mesazhi që kërkohet të jepet.
Këto dy ditë, të gjithë janë revoltuar me pamjet që vinin nga Tirana dhe qytetet e mëdha, ku njerëzit dilnin për shëtitje dhe për të marrë rreze dielli masivisht, duke injoruar çdo thirrje për të mos dalë nga shtëpia, pasi këto janë edhe ditët më deçisive, kur virusi mund të bëjë kërdinë.
Rrjeti ishte aq i revoltuar, sa bëheshin thirrje nga më agresivet, për të marrë masaj ndaj këtyre qytetarëve të papërgjegjshëm.
Vetëm se, kur këtë mesazh e përcjell Rama, sikur nuk na pëlqen, siç thoshte para ca ditësh një nga këta analistët që vjellin vrer ndaj çdo iniciative, vetëm pse ajo është ndërmarrë nga Rama.
Dhe tani gjetën edhe një sebep të ri për të vjell vrer ndaj tij, se paska postuar një video të rreme.
Tani jo se Rama është ndonjë burrë i mirë, por nuk është koha për betejë me të.
Dhe aq më tepër, për “mistrecllëqe” të tilla.
Sot gjithë debati është si të minimizojmë përhapjen e virusit, se me përhapjen e “fake news” jemi mësuar aq shumë pikërisht nga këta që sot sulmojnë Ramën, sa kemi fituar imunitet.
Ndaj mos na hapni barkun me këtë revoltën e video mashtrimit, se nuk është koha!
Se jo për gjë, por ju nuk jeni revoltuar dhe heshtët kur këto pamje kanë qenë reale në mes të Tiranës dhe manipuloheshin live nëpër studio televizive, madje edhe me të rënda, se u vranë dhe nja katër vetë.
Boll më me një debat pa sens, duke e devijuar debatin tek Rama, dhe jo te koronavirusi.
Do keni boll kohë të merreni me të./ TemA