Mustafa Nano ka qenë i ftuar në emisionin “Historia ime”.
Ai ka folur për librin e tij më të fundit, “Si e kam njohur”, ku rrëfen njohjen me 55 figura publike.
“Është një mënyrë për të folur për vendin, për Shqipërinë. Duke folur për personazhet që kanë dominuar skenën politike, kulturore, në përgjithësi skenat, ti në njëfarë mënyre ke folur për vendin.
Ka shumë mënyra për të folur për Shqipërinë dhe njëra prej tyre është edhe kjo. Për të trajtuar personazhet që kanë bërë kohën e mirë dhe kohën e keqe, shiun dhe diellin, që kanë krijuar dramë dhe kanë zgjidhur probleme, ndonjëherë.
Megjithëse kanë zgjidhur probleme në fakt, shpeshherë që kanë krijuar vetë, por gjithsesi kjo është Shqipëria”.
Një prej personazheve të trajtuar në librin e tij është edhe kryeministri Edi Rama.
“Rama, ndër personazhet e librit, është njëri prej atyre që unë e njoh më mirë sepse kam pasur edhe kontakte personale.
Kontaktet e mia personale me Ramën kanë qenë kontaktet e mia më të mira me një politikan sepse kanë qenë të natyrës intelektuale.
Kemi shkëmbyer idera politike, nuk kam pasur marrëdhënie siç kanë shumë kolegë të mi me politikanët, që i kanë shumë të afërta.
Nuk i kam pasur asnjëherë të afërta, jemi takuar, kemi biseduar, kemi shkëmbyer ndonjë libër.
E këtij niveli, e këtij lloji ka qenë marrëdhënia.
Si politikan e kam ndjekur vazhdimisht, fillimisht më ka inspiruar me natyrën e vetë, me kurajon e vetë.
Por me kalimin e kohës, Rama i ka humbur motivimet e mira që ka pasur, nuk ka më motivime, është i zbrazët nga motivimet.
Por unë e shoh, ai është edhe i trishtuar, është kryeministri më i trishtuar në botë”.