Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Edi Tushe. Lajmi i trishtë është bërë publik nga klinika ku ai ushtronte aktivitetin e tij, e cila i ka kushtuar një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e vlerësuar si një profesionist të shkëlqyer dhe një njeri me vlera të rralla njerëzore.
Për shumë vite, doktor Edi Tushe ka qenë pranë mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare, duke fituar besimin dhe respektin e tyre përmes përkushtimit dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve.
Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në praktikën mjekësore. Ai ishte ndër figurat që ndihmuan në ngritjen dhe zhvillimin e shërbimit të neonatologjisë në Shqipëri, ndërsa si pedagog dha një ndihmë të çmuar në edukimin dhe formimin profesional të brezave të rinj të mjekëve, duke ndarë me ta përvojën dhe njohuritë e fituara ndër vite.
Postimi i plotë në Facebook
Për mikun tim, Dr. Edi Tushe
Sot po shkruaj me zemrën e copëtuar.
Ka ikje që të lënë pa frymë. Ka humbje që nuk pranohen dot. Dhe ka njerëz që janë aq të mirë, aq të dashur, aq të pazëvendësueshëm, sa duket e padrejtë që Zoti t’i thërrasë kaq heret pranë vetes.
Edi ishte njëri prej tyre.
Nuk po qaj vetëm një koleg. Nuk po qaj vetëm një mjek të shkëlqyer. Po qaj një mik të shtrenjtë, një njeri të rrallë, një shpirt të bukur që e bënte botën më të mirë vetëm me praninë e tij.
Sa herë e shihja në klinikë, më dukej sikur gjithçka bëhej më e lehtë. Kishte atë qetësinë e njerëzve të mirë, atë buzëqeshjen e butë që të jepte siguri, atë mirësinë që nuk kishte nevojë të fliste me zë të lartë për t’u ndjerë.
Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë. Dhe zemrat tona mbetën me një plagë që nuk do të mbyllet kurrë plotësisht. Sa shumë njerëz ke ndihmuar. Sa shumë fëmijë ke shëruar. Sa shumë prindër ke qetësuar.
Sa shumë dashuri ke lënë pas. Dhe ndërsa të gjithë flasin për mjekun e madh që ishe, unë dua të kujtoj njeriun e madh që ishe. Njeriun që nuk i bëri kurrë keq askujt. Njeriun që i trajtonte të gjithë me respekt. Njeriun që nuk kurseu kurrë kohë, përkushtim apo zemër për ata që kishin nevojë. Sot lotët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen.
Sepse kur largohet një njeri si ti, nuk humbet vetëm familja, nuk humbasin vetëm miqtë. Humbet një copëz e bukur e kësaj bote. Lamtumirë, miku im. Lamtumirë, shoku im. Lamtumirë, kolegu im i dashur. Por bashkë me dhimbjen do të jetojë edhe mirënjohja që patëm fatin e madh të të kishim në jetën tonë. U prehsh në paqe, Edi.
Ti nuk je më mes nesh, por do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona. Sot qielli fitoi një engjëll, ndërsa ne humbëm një njeri të pazëvendësueshëm. Varrimi bëhet ditën e marte dt.16 Qershor ora.16.00 , organizuar nga Funeral Home ALBA 2000
Në tetor 2025, ai rrëfeu jetën e tij gjatë një interviste personale në “Galeri” me Edi Manushi.
Pediatri i njohur ndau me publikun detajin e trishtë që nuk komunikonte me të birin prej 22 vitesh.
“Jam përpjekur të lidhem edhe me njerëzit e ish-bashkëshortes sime, sepse kam një marrëdhënie të mirë me ta. Ai është në Kanada. Nuk është e lehtë t’i shpëtosh një indoktrinimi të caktuar. Të gjithë ata që ikën bashkë me djalin tim atje, i kanë prerë të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë,” u shpreh Tushe.
Në fund të intervistës, Tushe përcolli një mesazh prekës për të birin:
“Ai është djali im. Do doja ta kisha në krahë dhe të jetë i lumtur, i arrirë në jetë, t’i ketë realizuar ëndrrat e tij. Kjo do ishte e vetmja gjë që do të doja për të. Unë vetë kam vuajtur, dhe vuajtjet e bëjnë njeriun më të butë, më të ëmbël, por ndonjëherë edhe më të ashpër. Varet se si e sheh jetën.”









