Nga Thanas Hoda
Memaliaj, qyteti i minatorëve me mbi 10.000 banorë, me rritjen e prodhimit të qymyrgurit u hapën sektorë të tjerë dhe u ndërtuan puse të thellë deri 500 metra me degëzime horizontale në tre nivele. Fuqia punëtore arriti mbi 5.000 vetë me gjithë sektorët ndihmës të saj.
Në vite u ndërtuan fabrika e pasurimit të qymyrgurit.
Qymyri i minierës së Memaliajt ishte i një cilësie më të lartë në Shqipëri dhe preferohej në industri dhe në përdorim shtëpiak!
Unë fillova punë si mësues në vitin 1959 deri sa dola në pension. Shikoja si rritej vazhdimisht qyteti: U ndërtuan dyqanet e tregëtisë, hotele, restorante, kopshte e çerdhe, shkolla e spitale, klinika dentare, PTT, Ndërmarrja e shërbimit komunal, Pallati i kulturës me bibliotekë, trupë teatri dhe estradë pa harruar edhe bandën frymore, muzeu i minierës, Shtëpia e pionierit, ekipe sportive, NFP (Ndërmarrja e furnizimit të punëtorëve) dhe sektorin e ekonomisë ndihmëse.
Qyteti mori formën e një qendre industriale. Me asfaltimin e rrugëve, qyteti mbrëmjeve gumëzhinte nga xhirot e banorëve të saj! Të gjithë e ndjenim veten si një familje të madhe! Nderim për ata punëtorë heronj që edhe pse të lodhur nga puna në minierë, laheshin, ndërroheshin dhe përshëndesnim njëri-tjetrin me buzëqeshje të pastër, gjenin kohën dhe interesoheshin edhe për fëmijët e tyre në shkollë!
Nderim e respekt për ato gra nikoqire, që punonin me përkushtim nëpër sektorët ndihmës të minierës, ku edhe pse shumë të lodhura e ngushtë në kushtet e banimit, i nisnin fëmijët e tyre në shkollë të pastër e i nxitnin të përgatitnin sistematikisht mësimet duke i edukuar me virtyte të larta!
Të shkruash për heronjtë minatorë, gra e burra, duhen volume! Ata kurrë nuk u ankuan, kurrë nuk përtuan, por ishin njerëz të sakrificave duke nderuar kështu veten dhe qytetin!
Unë dëshiroj të shkruaj këto rreshta për një hero që dha jetën në minierë!
Kush nuk e njeh Mondi Ismailatin që drejton prej vitesh grupin Memaliaj në Facebook. Babai i Mondit, Sherif Ismailati ishte nga Libohova e Gjirokastrës. Sherifi ishte nga specialistët e parë që Ia kushtuan jetën minierës! Ai u martua po në Memaliaj me Zengjine Malkaj. Fëmijët e tyre i kam pasur nxënës në shkollë të cilët shquheshin për edukatë të lartë dhe të shkëlqyer në mësime! Edhe këtu në USA, fëmijët e të paharruarit Sherif punojnë e jetojnë me punë të ndershme dhe djersën e ballit!
Sherifi punonte elektricistë nëpër thellësitë e galerive. Mundohej ta kryente sa më mirë detyrën delikate që i ishte besuar duke eliminuar në kohë defektet e rastit. Ishte i papërtuar në çdo kohë që mund të kishin nevojë për ndihmën e tij. Gjithmonë i buzëqeshur, i dashur dhe i shoqëruar me të gjithë! Njeri pa vese dhe i veshur me virtyte njerëzore!
Sherifi ishte edhe një familjar model! Mundohej të rriste mirëqenien e familjes duke u marrë edhe me rritjen e bletëve, që në atë kohë lejohej si pronë private. Një ditë më kërkoi ta ndihmoja duke i siguruar arka dinamiti bosh të cilat i bënte koshere për bletët që i ecnin mbarë. Menjëherë bisedova me Hasan Skrapalliun që merrej me shitjen e arkave. Më dha menjëherë pesëmbëdhjetë të tilla.
Atë ditë e prisja në lulishten e qytetit për t’i dhënë autorizimin, por më kot po prisja! Atë ditë të zezë kish ndodhur hataja! Nga një difekt teknik në ashensor, Sherifi i mirë dhe i paharruar kish humbur jetën! Lotova kur mësova këtë fatkeqësi! Po kush nuk lotoi në Memaliaj për këtë njeri të shkëlqyer!
Përjetuam një ngjarje të hidhur që nuk mund ta harrojmë sa të jemi gjallë! Sherifi dhe shumë të tjerë që u aksidentuan dhe dhanë jetën në punë në galeritë e minierës, janë heronj të vërtetë që duhen nderuar e respektuar nga organet drejtuese të qytetit Memaliaj.
I paharruar kujtimi dhe heroizmi i tyre! Si patriotë që ishim nga Gjirokastra, shkëmbenim gjithmonë vizita familjare dhe duheshim shumë! Edhe fëmijët tanë ndoqën shembullin tonë duke patur marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin!