Eduart Merkaj nuk është më Drejtor i Kufirit. Në vend të tij është emëruar SaImir Boshnjaku, i cili ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kufirit Tiranë. Largimi i zotit Merkajt është lëvizja e parë madhore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit pas emërimit të Gledis Nanos në krye të policisë. Merkaj e mbante këtë post që prej janarit të 2019 me urdhër të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe Sandër Lleshaj.
Merkaj ka mbajtur edhe detyra të tjera të rëndësishme gjatë karrierës profesionale. Gjatë viteve 2000-2002 ka qenë Oficer i SHISH Vlorë, ndërsa në periudhën 2002-2003 ka qenë Oficer i SHISH Tiranë.
2003-2006: Oficer në SHKB, pranë Ministrisë së Rendit Publik; 2006-2010: O.P.Gj pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm; 2010-2013: Specialist në Sektorin Antikorrupsion, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. 2013-2015: Shefi Sektorit të Forcës së Posaçme, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Janar 2016-Prill 2017: Shefi i Sektorit per Hetimin e Korrupsionit ne Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Prill 2017 – 20 Mars 2018: Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhë Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Mars 2018 – 03 Janar 2019: Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, në DPPSh.