21-vjeçari Abazi, banor i qytetit të Sarandës, ka qenë i shpallur në kërkim policor për grabitjen me armë të dy karburanteve në Sarandë si dhe për një sërë vjedhjesh nëpër markete e dyqane, por edhe për vjedhje motorësh.Mësohet se 21-vjeçari Shahin Abazi po tentonte të ikte mbrëmjen e së premtes me autobus drejt Tiranës.
Policia e Sarandës ka marrë informacion dhe ka ndjekur autobusin duke e ndaluar atë në aksin nacional Sarandë – Gjirokastër dhe ka ndërhyrë duke bërë kështu të mundur kapjen e Abazit. Burime policore të Sarandës thanë se 21-vjeçari ka pranuar në Komisariat grabitjen me arme në bashkëpunim të dy karburanteve, ngjarje këto të ndodhura në 28 dhjetor 2017.
Po kështu Abazi ka pranuar gjithashtu të jetë pjesë e grupit të grabitësve me maska të marketeve dhe dyqaneve në Sarandë. Ndërkohë Abazi dyshohet të jetë autor edhe për vjedhje motorësh. Sipas burimeve policore të Sarandës 21 – vjeçari Shahin Abazi ka qenë edhe më parë i dënuar për veprën penale të vjedhjes, ndërsa po hetohet edhe për disa ngjarje të tjera.