Një fëmijë 11 vjeç dyshohet nga policia se u gjobit në rrjetet sociale nga persona të paidentifikuar që ka premisa të jenë bashkëmoshatarë me të. I gjendur nën ankth dhe i kërcënuar, fëmija u detyrua të vidhte të ardhurat e prindërve të tij të cilëve herë pas here u hapte kuletën dhe merrte prej andej para.
Mbasi në shtëpi po humbisnin vazhdimisht të ardhurat dhe mbasi prindërit e tij nuk po kuptonin se ku shkonin vlerat monetare, kanë mbajtur si fillim shënim shpenzimet ditore, derisa janë bindur se paratë po “avullonin” për shkaqe të tjera dhe jo nga blerjet dhe faturat. Bëhet me dije për Gazetasi.al se burrë e grua, vëzhguan së pari lëvizjet e njëri-tjetrit mbasi dyshonin për blerjet e pakontrolluara dhe më pas i hodhën sytë nga anëtarët e tjerë të familjes.
Çudia për ta kanë qenë veprimet e fëmijës së vogël që i ka bindur se pikërisht ai është hajduti”, tha një oficer policie që po merret me cështjen dhe hetimin e ngjarjes. Të dy prindërit pasi e pyetën të miturin se nga cfarë shtyhej të vidhte familjen, e kanë marrë djalin dhe së bashku me të shkuan në polici.
Një oficer policie po e heton denoncimin e 11-vjeçarit për shtrëngim me anë të kanosjes dhe befasia është se deri më tani është zbuluar se djali ra në kontakt me gjobëvënësit në rrjetet sociale. Fëmija sipas burimeve policore të Gazetasi.al është zbuluar se ka një llogari në Instagram. Rrëfimi i 11-vjeçarit me inicialet K.SH. tregon se çfarë ka ndodhur realisht.
“Gjatë muajit gusht mora mesazhe kërcënuese nga një adresë “Ga…” që mbasi më përshëndeti, më vonë më kërcënoi se do shpërndajë në Instagram fotot e babit dhe të mamit tim. Sipas kësaj llogarie, fotot do përhapeshin me qëllim që t’mi shanin prindërit. Kur fola prapë me të, se çfarë duhet të bëja që mos t’i merrte fotot e mamit e të babit kërkoi që ti jepja 20 mijë lekë. Vendin se ku do ti lija paratë ma tregoi me një fotografi, që ma nisi në Instagram. Ky vend ishte në rrugën që ma tha dhe sipas tij gjendej pranë shtëpisë së tij”.
11-vjeçari, i frikësuar dhe terrorizuar për prindërit që mund t’ja shanin mësohet se ka marrë paratë fshehurazi në shtëpi dhe i ka lënë në vendin e kërkuar. E njëjta situatë ka ndodhur edhe gjatë javëve në vazhdim. Fëmija hapte portofolin e prindërve që po përpiqej ti ruante nga sulmet e të panjohurit merrte prej andej shuma të vogla prej 50 mijë lekë të vjetra deri në 100 mijë lekë të vjetra dhe përherë i linte në vendin që i’a niste me fotografi i panjohuri.
“Dy javë më pas mami dhe babi më zbuluan pasi po shqetësoheshin që humbnin lekë në shtëpi, mami dhe babi dyshonin dhe më pyetën në lidhje me lekët”, rrëfen i mituri në polici.
11-vjeçari ka pranuar që paratë i merrte ai pasi po shantazhohej dhe ndjehej i kërcënuar.
“Në një rast, personi më kërcënoi se në rast të mosdorëzimit dhe mosgjetjes së 140 mijë lekëve brenda ditës, ai më tha se do më merrte peng”, shton 11-vjeçari në kallzimin e dhënë pranë drejtorisë vendore të policisë Tiranë.
“E dija që portofoli i mamit ishte përherë me para, i mora dhe kur mami e babi po dyshonin që po humbisnin para, ata filluan ti fshihnin kuletat, pasi fillova të marr para edhe nga kuleta e babit”, tregon fëmija për ditët e vështira që e shtynë të vidhte prindërit. Fëmija shpjegon se Instagramin e kishte hapur nga telefoni i të ëmës dhe sapo ajo kthehej në shtëpi nga puna, ja merrte telefonin për të luajtur.
“Telefoni i mamit zëre se ishte telefoni im. Sa mbërrinte në shtëpi i lija të gjitha, merrja telefonin dhe luaja me të”.
Por 11-vjeçari shpjegon se cdo mesazh e fshinte pasi nuk donte të shqetësohej e ëma.
Policia i tha Gazetasi.al se ka parë adresën ku fëmija kishte hyrë dhe rezulton se adresa “G…”është një faqe për lojra elektronike që ka dhjetra përdorues.
Por policia shton se hetimi pritet të jetë i vështirë pasi fëmija nuk e ka parë asnjëherë gjobëvënësin dhe nuk e identifikon dot. Megjithatë jep alarmin dhe bën apel për prindërit që të kenë kujdes dhe të survejojnë fëmijët e tyre që janë përdorues të lojrave elektronike në grupe të panjohurish.