Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.54/2019, datë 28.10.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Alfred Agolli, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 177, datë 08.07.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: 1. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 177, datë 08.07.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Alfred Agolli. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga kryesuesja Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Olsi Komici vendosën më 8 korrik 2019 që të shkarkojnë nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, shkaku kryesor i shkarkimit ishte një hua e padeklaruar prej 3 milionë lekësh për blerjen e një apartamenti në Gjirokastër si dhe “deklarimet kontradiktore” të subjektit në lidhje me këtë hua.
Komisioni ka identifikuar edhe problemet në kriterin e profesionalizmit për ish-kreun e Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, ndërkohë që një raport i DSIK-së për papërshtatshmëri u rrëzua si e paprovuar nga trupa gjyqësore.