Nga Fisnik ZICISHTI, inxhinier transporti
Tanimë, kompanitë e sigurimit edhe në Shqipëri do të detyrohen të dëmshpërblejnë të aksidentuarit në rrugë, ajër dhe det, që janë të siguruar. Në Fletoren Zyrtare është publikuar rregullorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Rregullorja në fjalë, e cila ka hyrë në fuqi menjëherë pasi është botuar në Fletoren Zyrtare, rendit me detaje të gjitha kategoritë e dëmeve dhe masën e përfitimit. Në qoftë se ke pësuar një aksident rrugor ose ajror dhe je i siguruar, mënyra për të përfituar dëmshpërblimin është të paraqesësh kërkesën për dëmshpërblim. Kërkesën për dëmshpërblim duhet ta paraqesësh me shkrim, ndërsa njoftimin e sigurimit për ngjarjen mund ta bësh me shkrim ose në mënyrë elektronike. Kërkesa për dëmshpërblim është në formën e formularit standard që e disponon shoqëria e sigurimit.
Shoqëria e sigurimit, pasi të kesh plotësuar formularin, ka për detyrë ta publikojë atë edhe në faqen zyrtare të internetit. Për të përfituar dëmshpërblimin, pas ngjarjes së ndodhur duhet të drejtohesh tek siguruesi përgjegjës i pronarit të mjetit të transportit, me të cilin është shkaktuar aksidenti, ose tek siguruesi i drejtpërdrejtë, në rast se në aksident janë përfshirë të dyja palët dhe njëkohësisht janë të siguruara me kontratë sigurimi të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta.
Gjithashtu edhe në rastet kur midis shoqërive të sigurimit është lidhur një marrëveshje. Rregullorja e AMF-së citon edhe një mënyrë tjetër; mund të drejtohesh edhe tek shoqëritë e sigurimit të autorizuara si trajtues dëmesh, në rast se mjeti i transportit, shkaktar i aksidentit, është i pasiguruar apo i paidentifikuar. Kërkesën për dëmshpërblim mund ta paraqesësh brenda një periudhe 2-vjeçare nga data e ngjarjes së aksidentit. Këtu përjashtohen aksidentet në rrugë ajrore, ku pronarët e avionëve u shkaktojnë dëme palëve të treta.
Sipas rregullores tashmë në fuqi, pasi bëhet kërkesa për dëmshpërblim, ajo protokollohet dhe regjistrohet menjëherë në regjistrin elektronik të dëmeve. Rregullorja citon se, pala e dëmtuar nuk është e detyruar të përsërisë kërkesën për dëmshpërblim në rast se identifikohet shoqëria e sigurimit të mjetit shkaktar të aksidentit.
Në këtë rast shoqëria e sigurimit që disponon kërkesën për dëmshpërblim e dërgon atë te shoqëria e sigurimit të mjetit shkaktar të dëmit, brenda 3 ditëve kalendarike nga data e identifikimit të shoqërisë së sigurimit përgjegjëse. Kjo e fundit njofton palën e dëmtuar për marrjen e kërkesës për dëmshpërblim. Pas kësaj, shoqëria e sigurimit hap dosjen e dëmit dhe e shqyrton. Në rast se kërkesa refuzohet, shoqëria e sigurimit është e detyruar të të njoftojë me shkrim.