Detaje të reja janë zbuluar nga e kaluara e Ditjon Memlikaj, ish-komandos që u arrestua dje nga Policia e Shtetit pasi akuzohet të jetë pjesë e grupit të grabitjes së 3.2 milionë dollarëve të bankës BKT më 9 shkurt në Qafë-Kashar.
Në profilin e tij në ‘Facebook’ Memlikaj ka ndarë me miqtë e tij foto nga misionet në Irak dhe në Afganistan si dhe pasionin e tij për armët e rënda, që nga snajperat, por edhe armët e sofistikuara. Po ashtu, Memlikaj është njohës i mirë i blindave, pasi ka drejtuar mjete të tilla si pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare.
‘BalkanWeb’ shkruan se Memlikaj ka lindur në fshatin Kamcisht të ish-komunës Qesarat në Tepelenë. Familja e tij ka jetuar në fshatin Kamcisht deri para 5 viteve, ndërsa më pas u transferuan në Tepelenë. Një vit më parë, Ditjoni si djalë i vetëm, ka tërhequr prindërit e tij në kryeqytet. Vetë Ditjon Memlikaj ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura dhe ka shërbyer në disa misione paqeruajtëse si në Afganistan dhe Irak. Ai ka qenë pjesë e forcave Komando të Repartit të Zall Herit deri para dy vitesh.
31-vjeçari, i martuar dhe babai i një djali, u lirua 6 vjet më parë nga ushtria për shkelje disiplinore. Memliakaj së bashku me Fatjon Xhyriun, Neim Avdulajn, Ernest Kupën, Admir Muratajn, Jetmir (Admir) Çerpjan dhe dy vëllezër nga Tropoja (ende të paidentifikuar), katër të fundit të shpallur në kërkim, akuzohen se kanë qenë bashkëpunëtor në disa grabitje bankash.