Drejtoresha e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë Aida Demi është shkarkuar nga detyra. Lajmi u konfirmua paraditen e sotme nga burime brenda Kadastrës dhe besohet se shkak i shkarkimit dyshohet se është bërë shkelja e dispozitave në fuqi gjatë ushtrimit të detyrave funksionale dhe denoncimi në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan.
“Stop” tregoi se familja e drejtoreshës së Kadastrës, Aida Demi ka përfituar tokë që më parë ka qenë det. Sipas investigimit, hoteli buzë detit i ndërtuar nga familjaret e Aida Demit mbi një truall të blerë me proces privatizimi në vitin 1992, përfitoi një pjesë të konsiderueshme të bregut të detit, pjesë që u mbush me inerte dhe u kthye në tokë.
Sidoqoftë deri më tani nuk ka një shpjegim zyrtar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe as vetë nga Aida Demi. Pas shkarkimit mësohet se Policia ka ushtruar kontroll edhe në zyrat e ASHK Sarandë, ku janë sekuestruar edhe disa dosje.
Aida Demi ka drejtuar ASHK Sarandë që prej 24 Shtatorit 2021, ndërsa më herët ka mbajtur pozicionin e drejtoreshës në Zyrën Juridike të Bashkisë Sarandë.