Nga Dritan Hila
Ministrja e Arsimit në largim, Besa Shahini, ka bërë një letër ndarjeje me shqiptarët, e cila është jo keq në formulimin dhe idetë që përçon. I vetmi problem i Besës është se këmbëngul për mospranim të saj nga ana e shqiptarëve kur fliste në dialekt.
Nguroj ta përcaktoj të folmen e znj. Shahinit si dialekt kosovar, meqë nuk e di cilin dialekt, të cilës zonë të Kosovës flet, pasi si në Kosovë edhe në Shqipëri, dialektet ndryshojnë nga krahina në krahinë. Gjithsesi kjo është gjëja e fundit që ka shqetësuar shqiptarët dhe Besa bën gabim që e përmend. Po të jetë për punë dialekti, shqiptarët kanë votuar tri herë Sali Berishën që edhe ai flet dialektin e Gjakovës.
Besës kundërshtitë më të mëdha i kanë ardhur nga opozita shqiptare, e cila shumicën e mbështetësve të saj i ka nga veriu, sesa nga socialistët që shumica janë toskë. Dhe ky është një argument tjetër që hedh poshtë pretendimin e Besës.
Jo Besa, shqiptarët e kishin problemin jo sesi flisje, por që nuk flisje fare. Në postin e ministrit të Arsimit, ashtu si në çdo post politik, duhet të jetë një profesionist i zoti, që të jetë edhe politikan. E para i duhet për të zbatuar reforma efeciente. Ndërsa qenia politik i duhet që të divulgojë në popull reformën. Ndërsa ti Besa nuk flisje fare. Mbase se kryeministri e ka për vete gjithë skenën, mbase se ishe e frikësuar nga një post i tillë, ku u katapultove e nga kjo vinte edhe mefshtësia. E kur fole, gabove.
Të vetmen herë kur nuk duhej të flisje, ose nëse do të flisje, duhej të na jepje kurajë pasi po çonim fëmijët tanë në shkolla në kushtet e një pandemie, pasojat e së cilës nuk e dimë sesi do të jenë, në kushtet kur të gjithë jemi të frikësuar për fatin e tyre, tonin e prindërve tanë, ti na dhe sihariqin që do të ikje ende pa mbaruar ky vit. Nuk ia vlen të zgjatesh se ishte një deklaratë tejet e gabuar, frikësuese, demoralizuese për të gjithë ne si popull. Por të jesh e bindur se gjëja e fundit që menduam, ishte e folura jote në dialekt.
Të ikësh e sigurt Besa që problemin nuk e kishim me origjinën dhe të folurën tënde. Fare. Problemi më i thellë që ka populli shqiptar me politikën, pjesë e së cilës ca kohë ishit edhe ju, është ardhja në drejtim e njerëzve që nuk i thonë asgjë publikut. Janë me zero rekorde publike dhe të panjohur profesionalisht. Problemi ynë janë ca ministra figurantë të Ramës. Problem për ne janë njerëzit pa identitet dhe bosh të Bashës. Siklet i madh janë dhe do t’ua shohim belanë më vonë çiliminjve që stërvit në kampe Monika. Se nëse je njeri i zoti, shqiptarët nuk e kanë problem as fenë, as dialektin madje as kombësinë./dritare.net