Dinamo do të përballet të shtunën me Tiranën në derbin e katërt sezonal për Superioren dhe në të gjashtin për këtë sezon mes kupës e kampionatit.
Blutë kanë dominuar dukshëm në përballjet derbi duke fituar 2 prej tyre në kampionat si edhe dy të tjerët në Kupën e Shqipërisë, për të vënë diktatin. Të njëjtën gjë, Dinamo do të synojë ta bëjë edhe këtë sfidë ku do të hidhte një tjetër hap të sigurt drejt “Final 4”, pasi arriti të rikthehej këtë javë falë barazimit në Ballsh dhe humbjes së Partizanit në “Elbasan Arena”.
RIKTHIMET- Ndaj Tiranës, Daja do të ketë dy rikthime të rëndësishme. Dejvi Bregu ka shlyer dënimin për shkak të kartonëve të verdhë që kishte grumbulluar dhe do të jetë gati për takimin e së shtunës në “Air Albania”. Bregu është padyshim protagonisti absolut në kampin blu këtë sezon, duke shënuar e asistuar në mënyrë të rregullt, për të kontribuuar jo pak deri në këtë pikë të kampionatit.
Ndërkohë, edhe Klevi Qefalija duket se ka lënë pas dëmtimin e pësuar pak javë më parë. Mesfushori kishte nisur përgatitjen individuale gjatë javës së shkuar dhe pritet të jetë gati për ndeshjen me Tiranën edhe pse jo në 100% e tij dhe me shumë gjasa do të jetë në stol këtë takim.
MUNGESAT- Bakari Gudiabi është mungesa e radhës për shkak të kartonëve duke qenë se ndaj Bylisit u ndëshkua me karton të kuq dhe aktualisht, është dënuar të stërvitet me skuadrën B. Ndërkohë, probleme fizike ka edhe për Bernard Berishën dhe Saliu Guindon të cilët ende nuk janë rikuperuar dhe janë të konfirmuar edhe këtë javë si mungesa të rëndësishme në kampin blu.
Daja kështu duhet të bëjë pa dy lojtarë cilësorë në sulm por alternativat nuk mungojnë duke qenë se Mustafa është gati, ashtu si edhe Nani në krah apo edhe Qardaku e Lorenco Vila.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







