Këshilli i Ministrave ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër, shkollë në të cilën zhvillohen edhe lëndë fetare.
Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të ministrit të Arsimit. Me këtë akt, qeveria shfuqizon edhe vendimin nr.279, datë 10 qershor 1999, përmes të cilit ishte dhënë leja e funksionimit të institucionit arsimor jopublik.
Sipas vendimit, shkolla ka detyrimin të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin në një institucion tjetër arsimor, si dhe të mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me procedurat e transferimit.
Po ashtu, institucioni duhet të kthejë çdo pagesë të kryer nga prindërit ose përfaqësuesit ligjorë për pjesën e papërfunduar të shkollimit dhe të përmbushë çdo detyrim tjetër ndaj nxënësve.
Vendimi parashikon gjithashtu që shkolla të vërë në dispozicion të autoriteteve arsimore çdo informacion të kërkuar deri në përfundimin e procedurave, si dhe të dorëzojë dokumentacionin në Arkivin Shtetëror Vendor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër-Libohovë dhe institucionet përgjegjëse të arsimit do të duhet të ngrenë një grup pune brenda tre ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, për të administruar procesin e mbylljes së shkollës dhe transferimin e nxënësve në institucione të tjera.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër-Libohovë, vetë institucioni “Kryqi i Nderuar” dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.









