Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se politika sot nuk mund të ndërtohet mbi bazën e rrjeteve sociale, duke theksuar se ndikimi i “followers” dhe “like” është shpesh i mbivlerësuar dhe i lidhur me mekanizmat e platformave digjitale.
Në një qëndrim publik, Rama u shpreh se ekziston një industri shumë fitimprurëse që, sipas tij, funksionon përmes algoritmeve të rrjeteve sociale, të cilat shpërblejnë konfliktin dhe jo qetësinë apo arsyen.
“Në kohën tonë ne jemi përballë një industrie, një industri që është shumë fitimprurëse. Kush mendon se me ‘like’-t dhe ‘followers’-at e vet bën politikë ose bën vetëm politikë bën gabim; me ‘followers’-at dhe ‘like’-t që mbledh bën shërbimin e oligarkëve më të mëdhenj të planetit, që përmes algoritmit pasurohen çdo ditë. Algoritmi nuk e shpërblen qetësinë e arsyes. Qetësia është armik i algoritmit.
Algoritmi nuk e do arsyen dhe prandaj, me të gjitha studimet e bëra, të gjitha postimet në të gjitha platformat që janë të mërzitshme kanë një shpërndarje shumë të ngadaltë se ato që janë tërheqëse sepse janë skandaloze. Algoritmi është për të shpërblyer konfliktin. Ai shpërblen indinjatën dhe frikësimin e të tjerëve.
Frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë dhe kohë para. Për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike: sa më shumë zemërim aq më shumë shikueshmëri, sa më shumë shikueshmëri aq më shumë ndikim dhe sa më shumë ndikim aq më shumë pushtet ndaj skemës së algoritmit. Sot protestat nuk zhvillohen vetëm në sheshe, por kanë nevojë për një shesh për përfaqësim në një lukuni që proteston në algoritëm. Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet për të ushqyer algoritmin dhe për ta ilustruar. Këtu fillon sfida për demokracinë e sotme”, tha Rama.









