Kryeministri Edi Rama, i cili prej më shumë se dy orësh po zhvillon një podcast të gjatë së bashku me gazetaren Rudina Xhunga, ka komentuar për herë të parë edhe rastin e ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Arben Ahmetaj, i cili vetëm pak ditë më parë hodhi akuza të forta ndaj kreut të qeverisë.
Teksa fillimisht ka komentuar akuzat për korrupsion, Rama tha se ende nuk është vërtetuar në gjyq për një aferë që ka prekur buxhetin e shtetit.
“Dorën në buxhetin e shtetit duhet ta vërtetojmë në gjyq dhe deri më tani nuk kam parë shkelje të kësaj natyre. Kam parë akuza, me disa elementë të ekzagjeruar në dosjen e inceneratorëve nga SPAK-u, por në buxhet të shtetit ende nuk kam parë”, tha Rama.
Ndërsa, e pyetur nga gazetarja Xhunga në lidhje me emërimin e Arben Ahmetajt si zv.kryeministër në kohën që ndaj tij kishte akuza për korrupsion, kreu i qeverisë tha se ai nuk niset nga perceptimet, por zgjedh t’u besojë njerëzve.
“Po të nisem unë nga akuzat për të mos e vendosur dikë në detyrë, unë duhet ta shkarkoja veten time çdo mëngjes nga çdo detyrë. Ose çdo darkë, se ja, jam akuzuar unë, nuk është akuzuar njeri në këtë vend. Dhe kjo, duke e ditur shumë mirë veten, më ka bërë që të mendoj që të tjerët akuzohen padrejtësisht”, deklaroi Rama.
Për herë të parë, Rama ka shprehur zhgënjimin për Ahmetajn, pasi, sipas tij, “ka investuar në një maskë karnavalesh” dhe në një “burim të ndotur”.
“Por koha vërtetoi që, në rastin që ju përmendët, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në një aset publik për t’u besuar. Në qoftë se del që burimi që ti ke investuar është i ndotur apo burimi që ti ke parë është i ndotur, apo maskë karnavalesh, është e dhimbshme, por është fakt”, tha ai.









