Kryeministri Edi Rama ka folur në DritareTV për çështjen e paraburgimit të gjatë të Ilir Metës dhe akuzat për hakmarrje politike.
I pyetur nëse paraburgimi i gjatë ka krijuar përshtypjen e një hakmarrjeje politike, Rama e ka mohuar kategorikisht, duke thënë se nuk është njeri hakmarrës dhe se nuk ka asnjë arsye të merret me Ilir Metën.
“Për çfarë do të merrja hak unë me Ilir Metën? E para njëherë unë nuk jam njeri hakmarrës. Jam rritur me atë gjyshe që thoshte: Pu pu pu rri larg mllefit se është e zeza e të zotit dhe mos mendo kurrë të hakmerresh me një njeri”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se nuk ka njohur ndonjë njeri që ta ulë aq poshtë sa të harxhojë jetën që i ka dhënë Zoti për t’u hakmarrë.
“Nuk kam njohur ndonjë njeri deri më sot që të më ulë mua kaq poshtë. Unë çdo gjë ia lë të tjerëve, ia lë Zotit unë. Çfarë është hakmarrja? Çfarë më sjell mua hakmarrja? Çfarë fitoj unë nga hakmarrja?”, tha ai.
Rama u shpreh se për Ilir Metën ndien keqardhje, pasi sipas tij ishte një talent i madh politik që nuk e mbajti dot peshën e pushtetit.
“Unë për Ilir Metën ndiej keqardhje realisht sepse ishte një talent, talent i madh politik që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme, është zor shumë ta mbash. Ka ngrënë dhe ka futur nën vete shumë burra. U katandis në një personazh qesharak, më vjen keq”, deklaroi Kryeministri.
Sa i përket vetë paraburgimit, Rama tha se nuk merret me meritën e asnjë çështjeje, por ka rezerva shumë serioze për praktikën e paraburgimit në Shqipëri.
“Jemi një vend me një rekord për paraburgimin në tërësi, dhe asnjë paraburgim i zgjatur për mua, përjashto ato rastet për krim të organizuar sepse aty nuk i hyj fare, nuk shoh asnjë paraburgim të gjatë të justifikuar për t’i hequr lirinë tjetrit”, përfundoi Rama.









