Pak para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, PS bëri një lëvizje në Këshillin Bashkiak Gjirokastër, ku kërkoi që Bashkim Tolës t’i ndërpritej mandati i këshilltarit. Arsyeja ishte se Tola, sipas PS-së, kishte papajtueshmëri mes mandatit të këshilltarit dhe funksionit si drejtues i Ndërmarrjes së Ujësjellësit. PS e shkarkoi Tolën, ndonëse ai ishte një këshilltar i zgjedhur nga radhët e saj. Sigurisht, papajtueshmëria e mandatit ishte ajo që thuhej zyrtarisht, por në thelb shkarkimi i Tolës u kërkua si ‘hakmarrje’ e socialistëve, duke parë se ai shfrytëzonte rolin në ndërmarrjen ku e emëroi Zamira Rami, për të mbledhur vota për LSI-në dhe jo për partinë e cila e kishte futur në këshill.
Dhe kështu ndodhi, Tola u shkarkua me shumicën e votave. Por sot jemi sërish përballë një situate të ngjashme. Dhimo Kristidhi është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Bashkiak edhe drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Pyetja që shtrohet është kjo: A do të kërkojnë socialistët që atij t’i ndërpritet mandati njësoj siç kërkuan me Bashkim Tolën? Ndonëse PS nuk e ka shumicën në Këshillin Bashkiak, minimalisht ajo duhet të ruajë të njëjtin standard edhe në këtë rast. Pastaj se si do të jetë fati i votimit është çështje tjetër.
©ArgjiroLajm.net