Nga Roland Bejko (kreu i PD Gjirokastër)
Vizita e Edi Ramës në Gjirokastër një Déjà Vu !
E gjitha do jetë një spektakël, ku do flitet për një realitet virtual, që egziston vetëm në mendjen e tij. Edi Rama vjen të hënën në Gjirokastër me gjithë shpurën e obortarëve të tij. Por kë do takojë në Gjirokastër, Dropull, e Libohovë Edi Rama, në qytetet që janë kthyer gati në fantazma, me lagje dhe fshatra të braktisur?! Nuk ka banorë më në qytete, nuk ka fermerë më në Lunxhëri, Antigone, Lazarat, Dropull, Cepo e Picar , nuk ka biznese në Gjirokastër përveç ca fasoneve të lodhura që e dini vet si dhe sa paguajnë, nuk ka tregëtarë dhe zejtarë më në qytet se nuk ka treg, nuk ka para, nuk ka njerëz, nuk ka më studentë se Universiteti është rrudhur vit pas viti deri në zhbërje !
Mungesa e politikave makroekonomike, implikimi në trafikun ndërkombëtar të drogës i ministrave, policisë dhe njerëzve të tij të afërt, falë politikave të tij shtrënguese, pagave dhe pensioneve të ulta, shërbimit shëndetësor mjeran, papunësisë dhe mungesës së shpresës për të ardhmen te rinia, edukimit shkollor të shtrenjtë , taksave të larta, mungesës së investimeve strategjike, mungesës së investimeve publike në infrastukturën shëndetësore, shkollore dhe rrugore, dhe në tërësinë e vet paaftësia për të qeverisur me një stil qytetar dhe evropian në vend të arrogancës, mashtrimit, gënjeshtrave, fasadave, propagandës dhe shantazhit, pra falë vet Edi Ramës Qarku i Gjirokastrës ËSHTË BRAKTISUR VITET E FUNDIT NGA RRETH 18 MIJË QYTETARË !
Kjo do të thotë se gjatë qeverisjes së Edi Ramës në Qarkun e Gjirokastrës janë fshirë nga faqja e dheut dy qytete të barabarta me Tepelenën dhe Këlcyrën! Gjithsesi, të hënën në Gjirokastër Edi Rama do takojë dhe do monologojë si kudo dhe si gjithherë me administratën, militantët e partisë dhe ministrat e tij.
Sigurisht,si çdo ditë do shajë opozitën me libër shtëpie për dështimet e tij në zhvillimin e vendit dhe integrimin evropian, do prezantojë si suksese politikat e fasadave të pallateve që janë lyer nga jashtë, por që brenda janë bosh se janë braktisur nga banorët, do mburet me të ashtuquajturën Rilindje Urbane, do premtojë për më shumë vende pune, për zhvillim bujqësor e blektoral, do premtojë për turizëm cilësor, do japë mend për mënyrën si duhet ecur në rrugë, ushqyer, menduar e folur, do gricet me harbutëri me ndonjë qytetar të pakënaqur nga qeveritarët e tij, do zgurdullojë sytë dhe do turpërojë ndonjë drejtor lokal qynafqar, etj, etj si këto marrëzi të tilla të përsëritura në të gjitha takimet sa herë ka ardhur në Gjirokastër si kudo në gjithë Shqipërinë e varfër e të braktisur nga qytetarët e saj që largohen për ditë e më shumë nga ky vend sikur ti largoheshin një vendi ku ka rënë hulera ( kolera)!
Dhe pas vizitës së tij si gjithmonë përveç llomotitjeve, arrogancës, fjalëve më të zeza për opozitën, premtimeve në hava me iluzionin e një Shqipërie të ëndrave dhe shpenzimeve qeveritare të lluksit, populizmit të ushqyer nga prapaganda ERTV dhe servilët etij mediatikë, asgjë tjetër nuk do të mbetet pas në këtë qytet fisnik, por të vrarë pabesisht nga vet Ai që populli i tij e ka votuar qorazi për të keqen e tyre të madhe ! Natyrisht, Gjirokastrën dhe fshatrat përreth i shpëton nga varfëria vetëm liria ekonomike dhe strategjitë inteligjente të zhvillimit, por Edi Rama nuk e bën dot këtë, sepse nuk mundet, nuk do, por dhe nuk di.
Prandaj së shpejti populli vet do ta rrëzojë !
Ps. Nga burime të sigurta brenda PS pas ballafaqimit të hidhur me gazetaren sfiduese Zonjush Metën nga Tepelena, stafi i afërt i PR i Ramës është kujdesur që gjatë seancave të dëgjesave apo dhe në vizitat e tjera të përzgjedhë qyetarët “hallexhinj” që do ti bëjnë pyetjet Kryezotit që do ti “qajnë hallet” dhe do ti shprehin “shqetësimet e tyre”, madje janë përzgjedhur edhe drejtorët që do sulmohen nga qytetarët për paaftësi si dhe ata që do lavdërohen për punët e mira… Spektakël i paparë, aktrim dhe ngjyra për të ndërtuar një realitet tjetër virtual, të lumtur e plot jetë, ndryshe nga realiteti gri e erët e Gjytetit të gurtë.