Nga Leida Ruvina
Në 30 vite tranzicion, ka dy modele botëkuptimi, mendimi, fjale e veprimi në Partinë Demokratike: njëri sipas Gilman Bakallit e tjetri sipas Stresit (Arkimed Lushaj). Ku ndryshimi shkon përtej studimeve fillimisht në Inxhinieri-Gjeologji Minierash në Tiranë e doktoraturës së Komunikimit në Graz të Austrisë për të parin, dhe diplomës së Psikologjisë në Gjenevë të Zvicrës për të dytin.
Në 30 vite shoqëri civile, ka dy modele intelektuali si individ jopartiak që mban qëndrim politik mbi çështje publike: njëri sipas Gilmanit e tjetri sipas Genc Sejkos. Ku ndryshimi shkon përtej kontributit në mësimdhënie e libra për të parin, dhe memeve për të dytin (“pa mbajtur përgjegjësi për atë që bëjnë në shesh protestues që ne thërrasim për një kauzë”).
Respekte të moshuarit anonim që sot (9 dhjetor) u fut mes huliganëve dhe policëve stoikë, e qëndroi në këmbë tek shkallët e kryeministrisë, me maskë anti-Covid në fytyrë, dhe një qiri të ndezur në njërën dorë, duke ruajtur me tjetrën mos t’i shuhej flaka. E homazhit. E paqes. E protestës siç duhet të ishte. Por nuk ish.
Jeta e një 25-vjeçari vlen shumë më tepër se thyerja e një xhami, se djegia e një perdeje, se çmontimi i kalldrëmit të një bulevardi dëshmorësh kombi e 21 Janari, se shkatërrimi i një instalimi dritash e peme Viti të Ri, apo se lufta me slita, drerë e zbukurime (që sadopak i sjellin/sollën shpresë një qyteti thellësisht të traumatizuar nga tërmeti e pandemia, karantina dhe humbja e të njohurve. Për të parën herë pas një përmirësimi në rritje, tensioni i tim ati sapo arriti 9 me 4 për shembull, dhe çdo shqetësim lajmesh me veprime e fjalorë rrugaçërie që mpakin zemrën e kujt këtu u lind e u rrit, më është dashamirësisht i evitueshëm).
Por asnjë thyerje xhami Kryeministrie, Ministrie të Brendshme, Ministrie të Bujqësisë, të Bashkisë, të drerëve slitash babagjyshi Viti të Ri, asnjë akt e fjalor halabak nuk rikthen në jetë një 25-vjeçar, për vrasjen e të cilit një polic është arrestuar nga SHÇBA dhe vijon hetimi nga Prokuroria para vendimit nga Gjykata.
Në mungesë të një filmimi apo dëshmitarësh okularë, çdo paralelizëm me rastin e George Floyd në veçanti apo dhunën policore e racizmin sistematik në SHBA përgjithësisht, është i pavend. Pa një ekspertizë balistike të një arme të gjetur/hedhur metra larg trupit të viktimës, çdo thirrje “Unë jam Klodiani” (si “Je suis Charlie Hebdo”) është emotivitet i paparaprirë nga një fakt e logjikë.
Unë nuk jam Klodiani (mbase i panikuar nga polici). Unë nuk jam polici (mbase i panikuar nga Klodiani). Unë nuk jam FRPD e “Rama Ik”, as FRESSH e “Rama Rri”, as LSI e “Virusi nuk ekziston”, as THURJE bathësh po një kokërr.
Por këtë mbrëmje djegieje e pjekjeje në emër të revoltës popullore qytetare, këtë mbrëmje dhune në emër të reagimit kundër dhunës, në pamundësi fizike për të qenë në shesh e fotografuar portrete që personalisht nuk më përbëjnë interes për qëndresë inteligjente paqësore e krijuese, mendaj se përshtypje do më bënin burra e gra me qiri në dorë, heshtur në këmbë, stoikë përpara e pas orës policore. Heshtje varri. Përnatë. 22:00 – 23:00. Artikulim i dorëheqjes pa dëmtuar qytetin materialisht e psikologjikisht.
Një ditë përpara Ditës së Rinisë dhe 30-vjetorit të Dhjetorit 1990 shqiptar, ministri holandez i Shëndetësisë deklaroi këtë të hënë 7 dhjetor 2020 se qeveria e tij do u jepte qytetarëve 58.5 milion euro për të luftuar vetminë gjatë krizës nga pandemia. Sipas Hagës, të rinjtë infektohen më pak nga Covid por po preken më shumë nga vetmia, ankthi e depresioni, ndaj bashkitë mund t’i përdorin paratë për organizim eventesh sportive, trajnime e lojëra online, duke mirëpritur ide krijuese nga të rinjtë për aktivitete që mund të realizohen që me pushimet e Krishtlindjeve… Ndërkohë, sipas disa protestuesve në Tiranë, që nga Tirana nuk duken, hormoni ’97-sh çlirohet më lehtë duke ia vënë zjarrin çdo grimce cirku nëse mungon panem.
Sonte nuk po shkruhet historia, evoluimi i protestës ishte folklorik e barbar, si një kopje e keqe e tortës së Pavarësisë. Ka një përgjegjës për deklaratat e Policisë, ka një përgjegjës për komunikimin në MB, ka një zv.ministër të Brendshëm përgjegjës për Policimin në Komunitet (program në bashkëpunim me qeverinë suedeze), ka një ministër të Brendshëm që duhet të planifikojë komunikimin strategjik në rast krize (që ndryshon nga komanda ushtarake apo lidershipi e vendimmarrja operative në vetvete). Por përtej krizës (thellësisht të komunikimit) institucional, protagonistët e bulevardit të sotëm do jenë një mal që mbarset e pjell një mi. Megjithatë, unë u druhem minjve të pjellë malesh. Ndaj sonte jam me Gilmanin. Hap krahun (e Spiralen e Heshtjes), dhe tund kokën time./ TemA