“Shembuj të manifestimeve të rusofobisë“, kështu quhet seksioni i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, që në fakt është një listë e mirëfilltë e personave të shpallur si “armiq” të Federatës Ruse.
Ndër ta figuron edhe presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, së bashku me ministrin e Jashtëm Antonio Tajani dhe ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto. Ministria e Punëve të Jashtme italiane ka thirrur për sqarime ambasadorin rus në Itali, Aleksej Paramonov.
Corriere della Sera shkruan se në qendër të akuzave janë deklaratat zyrtare të bëra në institucione shtetërore, ku denoncohet agresioni rus ndaj Ukrainës.
Për presidentin Mattarella përmenden dy citime: një pjesë nga leksioni i mbajtur këtë vit në Universitetin e Marsejës, ku ai e krahasoi pushtimin e Ukrainës me projektin e Rajhut të Tretë, dhe fjalimi i mbajtur vitin e kaluar me rastin e 80-vjetorit të betejës së Montecassinës, ku Mattarella kujtoi “tragjedinë çnjerëzore të popullit ukrainas” dhe angazhimin për mbrojtjen e paqes, lirisë dhe shtetit të së drejtës.
Për vitin 2024, në listë përfshihen edhe dy deklarata të dhëna për gazetën Il Messaggero nga Tajani dhe Crosetto. I pari kishte shprehur dëshirën që flamujt ukrainas të ishin të pranishëm në manifestimin e 25 Prillit, ndërsa i dyti kishte deklaruar se Putin dëshiron të pushtojë të gjithë Ukrainën.
Janë deklarata politike, pa asnjë thirrje për dhunë, që nuk duhet të keqinterpretohen si shenja të një armiqësie të hapur.








