Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama”, ku ndër të tjera ka folur edhe për oligarkët dhe kontrollin e tyre mbi pasuritë publike ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë po varfërohet gjithnjë e më shumë. Më poshtë pjesë nga intervista e Lleshajt.
A janë pasuritë e shqiptarëve në duart e oligarkëve…?
Pasuritë tona kombëtare kanë pësuar disi të njëjtin fat që pësoi rezerva kombëtare e arit. Megjithëse gjatë këtyre tri dekadave është thënë përherë se ekonomia jonë vetëm rritet, pasuritë tona publike, apo kombëtare po të doni, vetëm janë zvogëluar. Ky është një paradoks i madh që kërkon një analizë të thelluar, për të cilën nuk është vendi këtu. Por shkurtimisht, mund të thuhet se mineralet, nafta, gazi, pyjet, ujërat, deti, plazhet e shumë burime të tjera të pasurisë kombëtare nuk krijojnë pothuajse asnjë vlerë të shtuar për shoqërinë. Ato tashmë kanë përfunduar kryesisht në duar privatësh, duke krijuar vetëm humbje për buxhetin publik dhe zgavra në nëntokën dhe mbitokën e vendit. Para disa ditësh, në Munih të Gjermanisë, u ndala te birraria e famshme “Hofbräu”. Ka shumë shqiptarë që e kanë frekuentuar këtë restorant të famshëm, por shumë pak e dinë që ai është pronë shtetërore, pronë (jo e vetme) e qeverisë së Bavarisë. Por, mos u nxitoni të thoni se ky është një model komunist! Jo, bëhet fjalë për një ndër vendet më konservatore të Europës. Nuk po vijoj të përmend se sa është pjesa publike te “Lufthansa”, tek “Volksëagen”, etj. Dhe Gjermania nuk është kampione në këtë fushë, pasi në shtete të tjerë ka shumë më tepër pasuri dhe biznese në zotërim të publikut, duke kuptuar si të tilla, në radhë të parë, ato asete që gjenerojnë të ardhura reale përditë dhe jo thjesht pasuritë natyrore. Për ta mbyllur këtë argument: kur ekonomia rritet dhe pasuria publike zvogëlohet duhet të shqetësohemi. Rritja ekonomike që nuk krijon pasuri të shtuar publike është në rastin më të mirë një anomali shqetësuese. Sa i përket oligarkëve. Te ne ky term duket sikur nuk përkufizohet dhe nuk kuptohet qartësisht. Duke formuluar një përkufizim jo akademik, do të thosha se oligarkët janë ata që marrin si përfitim privat atë pasuri që normalisht i përket publikut.
…a kemi ne të tillë?
Jashtëzakonisht shumë. Janë ata që zotërojnë naftën, mineralet, pyjet, ujërat, plazhet, frekuencat, të drejtat sovrane e shumë asete të tjera publike.