Numri i vizitorëve vendas e të huaj në Parkun Arkeologjik të Antigonesë gjatë vitit 2016 është rritur. Kjo konfirmohet nga drejtori i Parkut, Shkëlqim Guçe.
Sipas tij prioritetet gjatë vitit 2017 do të jenë sërish në përmirësimin e infrastrukturës së parkut, si dhe rrethimi i parkut të Hadrianopolit.
“Për vitin 2016 Parku Arkeologjik i Antigonesë ka qenë në zbatim me përpikmëri të të gjitha planeve të organizuara nga ana jonë. Ndër punët kryesore gjatë vitit 2016 ishte vendosja e tabelave orientuese në të gjithë monumentet. Por këto punë janë shoqëruar edhe me aktivitete të shumta promovuese, që kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e numrit të vizitorëve. Krahasuar me vitin 2015 gjatë vitit të kaluar kishim më shumë vizitorë”, tha për Alpo Tv drejtori i parkut, Shkëlqim Guçe.