Nga Helena Smith, “The Guardian”/ Eurodeputetët kanë paralajmëruar Shqipërinë se bisedimet e pranimit në BE janë në rrezik nëse qeveria nuk “ndryshon kurs” mbi planet për ndërtimin e një vendpushimi luksoz të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Tineke Strik, eurodeputetja holandeze që drejton një mision faktmbledhës të Parlamentit Europian në vendin ballkanik, thotë se lidershipi i Shqipërisë po “luante me zjarrin” duke mbshtetur sipërmarrjen e pasurive të paluajtshme prej 1.4 miliardë eurosh që, sipas saj, do të shkaktonte kaos në bregdetin e virgjër.
Kundërshtimi ndaj projektit ka nxitur një valë trazirash të paprecedentë të njohur si “Revolucioni i flamingove”, mes thirrjeve në rritje për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
E intervistuar nga “The Guardian”, Strik u shpreh: “Nëse Rama është vërtet serioz në lidhje me ambiciet e tij për në BE, ai duhet të tërhiqet nga kjo trajektore dhe t’i thotë klanit Trump: “Më vjen keq, BE është përparësia ime e parë”.
“Tani për tani, ata po rrezikojnë një proces që është kaq i dashur për ta… po luajnë me zjarrin.”
Që nga rënia e komunizmit, më shumë se 30 vjet më parë, asnjë reformë politike nuk ka tërhequr një mbështetje kaq dërrmuese nga qytetarët shqiptarë sa anëtarësimi në BE: rreth 92% e mbështesin qëllimin.
Rama, i cili fitoi një mandat të katërt historik vitin e kaluar, është zotuar ta fusë Shqipërinë – një nga vendet më të varfra në Evropë – në bllokun 27-anëtarësh deri në vitin 2030. I inkurajuar nga progresi i bërë në përfundimin e negociatave shpesh komplekse, ai kishte vendosur si qëllim dhjetorin e vitit 2027 për të përfunduar një proces pranimi. Zyrtarët e BE-së e kishin mirëpritur afatin e vetë-imponuar, megjithëse e përshkruan atë si ambicioz.
Ky afat kohor tani mund të jetë në rrezik nëse Rama këmbëngul të vazhdojë me projektin e mbështetur nga Kushner për të zhvilluar ato që dikur ishin zona të mbrojtura nga ana mjedisore në jug të vendit.
Kushner ka folur për krijimin e një mega-resorti në Sazan, ishullin e vetëm të Shqipërisë, ndërsa gjithashtu do të ndërtojë përgjatë një pjese të bregdetit të paprekur në gadishullin e Zvërnecit përballë, duke e cilësuar atë si llojin e vendit që ai do ta shijonte me kënaqësi me familjen dhe miqtë.
I alarmuar nga shkalla e projektit – dhe protestat që ka shkaktuar ai – Parlamenti Europian e bëri të qartë pakënaqësinë e tij muajin e kaluar.
Në një rezolutë, eurodeputetët jo vetëm që mbështetën demonstruesit, por bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit në zonat e mbrojtura. Ata gjithashtu kërkuan tërheqjen e ligjit që u lejonte “kapitalistëve grabitqarë” të merrnin leje si investitorë strategjikë në rajone të konsideruara si zona të sigurta për jetën e egër dhe ekologjikisht unike.
Duke folur në fund të një udhëtimi 4-ditor që përfshinte vizita në zonat e caktuara për zhvillim, Strik u shpreh: “Nëse ata vazhdojnë, do të kenë një problem të madh me BE-në gjatë negociatave – veçanërisht në kapitullin 27 ku ata duhet të përmbushin të gjitha standardet e politikave mjedisore të BE-së. Ndërtimi i planifikuar i pasurive të patundshme në shkallë kaq të gjerë në një zonë kaq të brishtë është një kërcënim i madh.”
Eurodeputetja theksoi se punimet e kryera tashmë në gadishullin e Zvërnecit – duke përfshirë shkatërrimin e pyjeve, dunave të lashta dhe ndërtimin e një rruge me zhavorr prej 7 kilometrash të gjatë – kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ishin në shkelje të qartë të direktivave të BE-së.
Parlamentarët që erdhën për vizitë u “inkurajuan dhe u siguruan nga populli shqiptar”, i cili, tha Strik, ishte në rrugë duke mbrojtur vlerat evropiane dhe duke kërkuar llogaridhënie. Por, ajo tha se ata nuk ishin impresionuar shumë nga zyrtarët qeveritarë.
Strik tha se ishte e alarmuar që ministri i mjedisit, Sofjan Jaupaj, kishte lënë të kuptohej se punimet do të vazhdonin derisa Shqipëria të detyrohej të përmbushte standardet e BE-së.
Ajo shprehu gjithashtu shqetësim në lidhje me akuzat për korrupsion që kishin errësuar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe shitjen e parcelave të tokës në Zvërnec. Kundërshtarët kanë kritikuar mungesën e transparencës dhe debatit publik rreth projektit.
“Dola nga takimi i sotëm me përshtypjen se ata kanë ndërmend të vazhdojnë me këtë projekt përpara se t’u duhet të jenë nën ligjet e BE-së dhe kjo, sigurisht, nuk është një mënyrë bashkëpunimi besnik”, tha ajo.
“Ata nuk mund të thonë tani: “Mund të shkaktojmë më shumë dëme dhe pastaj do të shohim në fund të vitit të ardhshëm se ku ndodhemi”. Kjo nuk është një rrugë e drejtë dhe ne do t’i bëjmë thirrje komisionit të BE-së që ta ndjekë këtë çështje shumë fuqishëm me qeverinë shqiptare.”
Shqipëria ka fituar mbështetje të gjerë nga eurodeputetët për kandidaturën e saj, dhe eurodeputetja e majtë grupit “Të Gjelbrit” tha se ishte shumë në favor të anëtarësimit të shtetit të vogël ballkanik në Union. “Unë largohem me ndjenjën se populli shqiptar dëshiron vërtet të bëhet anëtar i BE-së, në fakt ata tashmë ndiejnë se i përkasin asaj”, tha Strik.
Ajo tha se demonstratat e përditshme nuk kishin të bënin vetëm me kërcënimin ndaj mjedisit, por ishin shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë për sundimin themelor të ligjit.
“Shqiptarët protestojnë çdo ditë sepse duan të kenë një demokraci të mirëfilltë, gjë që më forcon vërtet besimin në proces dhe në dëshirën e tyre për anëtarësim.
“Ajo për të cilën nuk jam shumë i sigurt është nëse qeveria e Shqipërisë po i merr seriozisht shqetësimet e popullit shqiptar, tonave [eurodeputetëve] dhe të Komisionit Evropian – prandaj i kam bërë thirrje që të ndryshojë kursin dhe t’i marrë seriozisht qytetarët e saj.”









