Shqiponja që u gjet një ditë më parë e keqtrajtuar në fshatin Buhal të Përmetit nuk ia doli dot të mbijetonte. Gazetari Andrea Danglli, i cili denoncoi i pari rastin në rrjetet sociale, njofton sot lajmin se përpjekjet nuk mjaftuan për të mbajtur në jetë shpendin. Pak pas denoncimit të rastit ndërhyri Policia e Shtetit për ta liruar shpendin dhe nisur drejt kryeqytetit për mjekim. Autori i kësaj barbarie me shqiponjën nuk dihet ende. Ja çfarë shkruan gazetari Danglli në faqen e tij në Facebook.
Megjithëse i shpëtoi balsamosjes nga duart e njeriut primitiv, fakeqësisht përpjekjet për të shpëtuar shpendin e kryqëzuar barbarisht nuk mjaftuan. Në kujtesën tonë, mbetet imazhi i saj këmbëthyer i varur në një rrjetë teli me sy drejt shpëtimtarëve që u bënë bashkë për këtë rast, por përpara gjenden mjaft të tjera.
Simboli i kësaj hute të mjerë shërbeftë për të kuptuar gjendjen aktuale të masakrës ndaj kafshëve dhe shpendëve, ku dyqanet e suvenireve tregëtojnë me krenari specie të rralla balsamosur nga të marrët, ku restorantet servirin me mburrje mish speciesh të tilla, ku macet flakërihen nga ballkoni, ku qentë mbyten rrugëve nga njerëz dhe institucione, ku helmin e brendshëm që kemi si shoqëri ua servirim të pambrojturve. E për këtë pas hekurave nuk ka sot dhunues kafshësh, përderisa edhe kapedanët me shkopa bejsbolli po trajtohen si gudulisës dhe jo si dhunues…
Shërbeftë simboli i saj për ligj më të ashpër, zbatim më të drejtë dhe rritje të forcës ndëshkuese për të mos pasur më pamje të tilla që po na e asfikson krenarinë e të qenurit pjesë e kësaj shoqërie që kemi ndërtuar.