Me rastin e Sulltan Novruzit, besimtarët bektashianë në qarkun e Gjirokastrës kanë shkuar drejt teqeve për të kryer ritualet që bëhen për këtë festë, ndonëse numri ka qenë i vogël për shkak të motit të keq. Teqetë më të frekuentuara në jug të vendit janë ajo e Zallit në Gjirokastër, e Melanit në Libohovë, e Alipostivanit në Përmet, e Turanit në Tepelenë, e Koshtanit, Frashërit etj.
“Dita e Nevruzit, konsiderohet dita e fisnikërisë njerëzore dhe dita e ringjalljes së madhe”, thotë Baba Hekurani i Alipostivanit. Kjo ditë shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit Bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Sipas Ali Sheh Hormovës, Dita e Nevruzit bashkon njerëzit e të gjitha besimeve dhe është edhe simboli i bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. Kjo festë është është dekretuar si festë kombëtare 16 vite më parë dhe festohet në mjediset familjare dhe vendet e shenta Bektashiane. Urimet për Sulltan Novruzin i kanë përcjell në faqet e tyre në Facebook edhe deputetët e qarkut Gjirokastër; Vangjel Tavo, Tritan Shehu, Flamur Golemi e Mirela Kumbaro.