Një ditë më parë ka ndodhur diçka e paprecedentë në Gjirokastër, gjatë një takimi publik që zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajna, zhvilloi me drejtues të policisë lokale, në kuadër të intensifikimit të luftës kundër kanabisit. Për habi të të gjithëve, prefekti i qarkut, Astrit Aliaj, lëshoi akuza ndaj portalit tonë. Sipas tij ArgjiroLajm.net është një media palë me krimin dhe se Prokuroria duhet të hetojë për ne. Shtoi gjithashtu se ne dizinformojmë opinionin publik. Ky nuk është rasti i parë që Astrit Aliaj bën presion ndaj portalit tonë, por në dallim nga herët e tjera, dje foli publikisht dhe madje artikuloi akuza të rënda. Natyrisht që ai e ka një hall, i cili nuk është problemi tonë dhe as e ndihmojmë dot ta kapërcejë; Raportin me median dhe fjalën e lirë! Prefekti i Gjirokastrës nuk e duron dot faktin se ka media që refuzojnë të bëhen zëdhënëse të tij. Nuk e pranon dot se ka gazetarë që mendojnë ndryshe prej tij, që kanë një qasje tjetër për çështje të caktuara. Me siguri që kjo vjen për shkak të formimit të tij ushtarak. Profesioni i nderuar i ushtarakut, nuk mund të kuptohet pa disiplinën dhe qëndrimin në rresht. Por këtë disiplinë, Astrit Aliaj duhet ta kërkojë kur t’i rikthehet profesionit të tij ose ta kërkojë edhe tek vartësit në Prefekturën e Gjirokastrës, jo me gazetarët. Ju z.Prefekt jeni mësuar me kolegët e Televizionit Gjirokastra, të cilët për shkak të presionit që iu bëhet me vendin e punës, thjesht ju vënë mikrofonin të flisni çfarë të doni dhe transmetojnë çfarë ju dëshironi e ndonjë rast çfarë ju urdhëroni.
Mbase po të ishim edhe ne në ato rrethana, me siguri do t’i nështroheshim presionit. Natyrisht që nuk na ka kapur deliri e as jemi duke thënë se ne po mbajmë pishtarin e fjalës së lirë, ndërsa gjithë të tjerët qëndrojnë poshtë nesh. Ne kemi një model tjetër dhe një linjë tonën editoriale, për të cilën nuk mund të të marrim leje ty. Puna tonë si media është boll e kritikueshme, ndonëse jo më shumë sesa puna tuaj si pushtet më vëte. Por ai steriliteti në gazetari, që ju keni në mendje si reminishencë e kohës së komunizmit, ka vdekur me kohë. Gazetarinë as mish as peshk, shko kërkoje në vend tjetër. Gazetarët sterilë shko lexoji në vend tjetër. Ne mbajmë qëndrim në ngjarjet që trajtojmë, kemi këndvështrimin tonë dhe ky nuk është mëkat. Dhe as na komplekson fare ky fakt. Cdo media ka linjën e vet editoriale, ka qasjen e vet për ngjarjet që ndodhin. Biem dakord, për të mos rënë dakord! E rëndësishme është të mos gënjesh, të mos shpifësh, se në qëndrime patjetër që mund të ndahemi. Kjo është e shëndetshme në demokraci, se vajmedet po të mendonim të gjithë njësoj.
Lidhur me akuzat se ArgjiroLajm.net është palë me krimin, vërtet janë shumë të rënda, ndonëse zor se ju merr njeri seriozisht. Por nëse ke fakte për këtë gjë, ke detyrimin të shkosh në Prokurorinë e Gjirokastrës për të bërë kallëzim. Bëhu shembulli i zyrtarit që denoncon krimin. Ne po të sfidojmë! Zbulo lidhjet kriminale të një grupi të vogël gazetarësh që punojnë ‘freelancer’ në këtë portal. Sqaroja banorëve të qarkut Gjirokastër lidhjet tona kriminale. Ndonëse do të ishte e udhës që më parë të sqaronit akuzat publike që rëndojnë mbi ju. Me siguri ju kujtohet se ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ju kanë akuzuar publikisht për lidhje me grupin e Habilajve në Vlorë. Sqaroni banorët e qarkut Gjirokastër për ato akuza, pastaj dilni të faktoni lidhjet tona me krimin.
Z. Prefekt, nëse ne do të ishim palë me krimin, nuk i bënim jehonë çdo aksioni të Policisë së Gjirokastrës kundër kanabisit apo kriminalitetit në përgjithësi. Nëse ne do të ishim palë më krimin, nuk publikonim si gjithë mediat e tjera raportin e SHISH për punonjësit e policisë të dyshuar si të përfshirë në kultivimin e trafikut të drogës. Nëse ne do të ishim palë më krimin, nuk e theksonim me qindra herë nëpër lajmet tona se kanabisi është një aktivitet kriminal që duhet të marrë fund një orë e më parë. Këtë influencë modeste që ne kemi, rreth 20-22 mijë lexues në ditë, nuk e përdorim për t’u thënë njerëzve mbillni apo trafikoni kanabis. Kjo është një insinuatë e turpshme që ju po e krijoni vetëm e vetëm sepse ne kemi këndvështrim tjetër për ngjarje të ndryshme. Jeni ndjerë i ofenduar vetëm e vetëm sepse ne e kemi konsideruar qesharake ceremoninë pompoze të pritjes së dyshekëve kanadezë në Gjirokastër.
Nuk ju ka pëlqyer fakti se i treguam publikut përplasjen tuaj me kryebashkiaken Zamira Rami. Dhe së fundi ‘morët flakë’ nga artikulli për task forcën kundër kanabisit. E çfarë po thonim në atë artikull?! Thjesht që task forca të tilla janë vetëm show, sepse kanabisi nuk mbillet as nga njerëzit me ndihmë ekonomike që trokasin te zyra e Magdalena Margaritit, as nga nxënësit apo nga drejtorët e shkollave që varen nga Lindita Rova dhe as nga nëpunësit e Shpëtim Novit. Në vlerësimin tonë, task forca të tilla janë thjesht për ‘sy e faqe’. Mos është mëkat që ta shprehim këtë këndvështrim apo duhet të të marrim leje ty kur të shkruajmë?! Harroje! Në atë artikull dhe në asnjë tjetër s’kemi fyer institucionin tuaj e as ju personalisht. Mjerim i madh z. Prefekt që prej atij artikulli dhe punës tonë në vijimësi të thoni publikisht akuza të tilla. Megjithatë keni të drejtën tuaj të flisni çfarë të doni. Ndonëse nuk biem dakord me ju, ne mbrojmë deri në fund të drejtën tuaj për t’u shprehur. Këtë sistem vlerash mbrojmë ne! Lidhur me financimin, kostoja vjetore për një portal është 20 dollarë. Paguan thjesht ‘host’ dhe ‘domain’, të tjerat janë falas prej mediave sociale.
Përmes marketigut dixhital mundohemi të nxjerrim edhe ndonjë përfitim si çmim të kohës që ne i kushtojmë kësaj pune. Ka raste që fitojmë, ka raste që nuk fitojmë. Ka edhe nga ato raste kur bizneset duan të reklamojnë, por kanë frikë se qeveria tënde u bën presion me tatimet dhe strukturat e tjera shtetërore, për të mos u qasur tek ne sepse jemi media ‘politikisht jo korrekt’. Sidoqoftë kjo s’na ka demotivuar dhe as ka për të ndodhur sepse mbi të gjitha këtë punë e bëjme me pasion. Dhe harroje se do të tutemi nga presionet, kërcënimet dhe linçimet e tua publike. Vazhdo bëj linçime publike se nuk na intimidon dot fare.
Lidhur me atë çështjen e dizinformimit që gjoja bëjmë ne, tregoju qytetarëve për çfarë kemi gënjyer? Cili është ky lajm i rremë që ka marrë dhenë prej nesh? Në fakt kemi bërë një gabim z.Prefekt. Jo dizinformim, por i kemi mbajtur të fshehur publikut një ngjarje të pakëndshme të datës 8 Mars 2018, ngjarje në të cilën ju ishit i përfshirë. Besojmë se ju kujtojet çfarë nodhi në fshatin Dervician?! Ne vlerësuam se ishte më mirë që ai incident të mos bëhej publik. Por ndoshta jemi gabuar, se mbase edhe ju vetë do donit që të merrej vesh ajo që ndodhi. Sidoqoftë, jemi në pritje që Prokuroria dhe SHISH t’u faktojnë njerëzve lidhjet tona me bandat e trafikut të drogës, lidhjet me diversantët e Teme Sejkos dhe grupet armiqësore e revizioniste që s’i duan të mirën pushtetit popullor e qeverisë tënde… Nëse kjo nuk ndodh, keni detyrimin të dilni dhe të kërkoni falje publikisht për akuzat që keni bërë. Në të kundërt, po i drejtohemi ne Prokurorisë për ato që keni thënë. Veç deklaratave të djeshme, do të shtohen edhe ato ndërhyrjet e tjera muaj më parë, për të cilat ju keni dijeni të plotë. Së fundi, meritoni vlerësim për ‘kapërcimin’ që sapo i keni bërë kryeministrit Edi Rama, kur vjen puna për raportin me mediat. Ai ndalet deri tek etiketimi ‘kazan’, ndërsa ju shkoni edhe më tej duke artikuluar lidhje imagjinare me bandat e drogës. Vajmedet!
Në respekt të lexuesve tanë, më poshtë akuzat e plota të prefektit Astrit Aliaj kundër portalit ArgjiroLajm.net si dhe artikulli për task forcën kundër kanabisit, artikull i cili e ka ‘motivuar’ të thotë ditën për diell mufka që s’i beson askush vec tij dhe një takëmi njerëzish që i shohin mediat si armiku i klasës punëtore…
©ArgjiroLajm.net