Një anketë e zhvilluar nga Barometri i Ballkanit, tregoi se 16% e qytetarëve të anketuar më 2024 (1000 gjithsej) deklaruan se janë në proces përgatitje për t’u larguar nga vendi, duke lënë pas vetëm Kosovën, ku 20% e qytetarëve të saj janë në përpjekje për të ikur dhe në nivel të njëjtë me Maqedoninë e Veriut.
Serbia shihet të ketë nivelin më të ulët të qytetarëve, rreth 6%, që po bëhen gati për lënë vendin nëpërmjet kontratave të punës apo mënyrave të tjera të emigrimit. Duket se emigrimi po vjen duke u stabilizuar edhe në Bosnjë. Gjithashtu në Malin e Zi 12% janë duke përgatitur për t’u larguar nga vendi.
Ballkani Perëndimor ka njohur valë të forta të emigrimit vitet e fundit, duke krijuar mjaft problematika në ekonomitë e vendeve. Shqipëria dhe Bosnja kryesojnë për ritmet e larta të largimit, por teksa në Bosnjë ka një lloj qetësimi, në Shqipëri emigracioni vijon të jetë një plagë që sa vjen e thellohet.
Emigracioni i lartë dhe plakja e popullsisë do të çojë popullsinë e Shqipërisë në rënie pa kthim në të gjithë skenarët.
Më herët gjatë muajit korrik, Kombet e Bashkuara në projeksionet e reja “Rishikimi i Perspektivës së Popullsisë Botërore 2024” e renditën Shqipërinë si vendin me rënien më të madhe të popullsisë ndërmjet 2024-2054 në rang global.
Gjithashtu OKB e renditi Shqipërinë si vendin me rënien më të fortë të normave të lindshmërisë (fertilitetit) për grua me rreth 15% deri në vitin 2054 në rang global.
Një nga strategjitë që rekomandon OKB është që vendet me rënie të popullsisë duhet të bëhen gjithëpërfshirës, duke futur në tregun formal të punës grupe që tradicionalisht janë përjashtuar, si gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara./ Monitor.al