Lajmi se kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, ishte ulur krah Ramës një ditë më parë në takimin e tij për llogaridhënien e qeverisë, si dhe më pas pjesëmarrja në darkë me të, mori një vëmendje të madhe jo vetëm në mediat lokale, por u përhap me shpejtësi edhe në mediat kombëtare. Ky zhvillim, por mbase edhe ndonjë telefonatë nga Monika Kryemadhi apo Vangjel Tavo, e shtynë sot Zamira Ramin të jepte një shpjegim publik se përse ishte në takimin e Ramës. Por reagimi i saj nuk bindte, ndonëse ajo e theksoi se është dhe do të jetë pjesë e LSI-së.
ArgjiroLajm.net duke iu referuar burimeve nga njerëzit pranë Zamira Ramit, raportoi se kryebashkiakja po bën tentativa për të kaluar drejt PS-së, në mënyrë që të rikandidojë sërish vitin tjetër, pasi ky është një lloj skenari që i rrit më shumë shanset për të fituar mandatin e dytë. Skenari që ajo të rikandidojë si pjesë e koalicionit PD-LSI i jep pak mundësi për t’u rikonfirmuar. Megjithatë le të ndalemi tek shpjegimi i saj se përse shkoi në takimin e kryeministrit. Zamira Rami thotë se e kishte ftuar Edi Rama për të qenë ‘pjesë e panelit të llogaridhënies’. Çfarë të mire do të kishte Bashkia dhe komuniteti i saj nëse unë do të sillesha ndryshe?’, pyet ajo. Në fakt Rama fushatën e llogaridhënies e ka për qeverisjen e tij në këto muaj të parë të mandatit të dytë, nuk e ka për pushtetin lokal. Madje ata që e ndoqën takimin, Zamira Rami nuk dha fare llogari për punën e saj 3-vjeçare në krye të Bashkisë Gjirokastër.
Ajo u ngrit një herë të vetme për të folur, pasi Rama u zu ngushtë nga ankesa e një tregtari dhe nuk dinte çfarë përgjigje t’i jepte. Sigurisht që nuk jemi duke thënë se Zamira Rami kishte shkuar pa ftesë në atë takim. Por të mos harrojmë edhe një fakt tjetër, se Edi Rama është mjeshtër i komunikimit dhe natyrisht propagandës e diversionit. Në këtë kuptim, ftesa e tij drejt Zamira Ramit, duke e ditur që ajo është e LSI-së, mund të ketë qenë edhe një kurth për kryebashkiaken e Gjirokastrës. Prezencën e saj aty, Rama e përdor edhe për të zhvlerësuar aksionet e opozitës. I thotë Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit; ‘flisni ju në Tiranë, krimi-krimi, droga-droga, por njerëzit tuaj në bazë ulen me mua e madje s’i kursejnë falenderimet’. Dhe kështu ndodhi realisht. Zamira Rami, njësoj si Ahile Deçka i Dropullit, e falenderoi Ramën disa herë.
Vërtet Zamira Rami tha se mbetet te LSI-ja, por si mundet që nga njëra anë të falenderojë Ramën, t’i shkojë në takime e darka, të cilat edhe pse janë të kamufluara si llogaridhënie publike e qeverisë kanë dimensionin e vet propagandistik, ndërsa nga ana tjetër do të marrë pjesë në protestën që ka thirrur opozita të shtunën. Monika Kryemadhi thotë sot se s’ka zot që e shpëton Edi Ramën dhe se duhet ta rrëzojmë atë sa më shpejtë nga pushteti, ndërsa Zamira Rami i bën elozhe dhe falenderime publike kryeministrit. Këtu ka diçka që nuk shkon! Mundësitë janë këto: Zamira Rami po përgatit terrenin për të kaluar me PS-në, sikundër përflitet; Zamira Rami është keqpërdorur nga Edi Rama për të qenë në takimet e tij, në mënyrë që Rama ta shiste më pas si akt për të zhvlerësuar aksionin opozitar; ose kryetarja e Bashkisë Gjirokastër është totalisht autonome nga pikëpamja politike.
Argumenti tjetër që dha Zamira Rami në shpjegimin e vet, se shkoi te Rama edhe për shkak se ‘gjirokastriti e vlerëson mikpritjen dhe s’i kthen krahët mikut’, është folklor dhe që s’ja vlen ta marrësh në konsideratë.
Nuk jemi duke thënë se Zamira Rami duhet të injorojë Kryeministrin e vendit, cilido qoftë ai, por në këtë rast nuk kishim të bënim me një takim zyrtar, ku sipas protokollit kryebashkiaku e ka detyrim të marrë pjesë në takim apo ceremoni, madje duke mbajtur edhe shirtin kuq e zi. Takimi llogaridhënës i Ramës nuk ishte një event zyrtar, ku kryebashkiaken e Gjirokastrës e detyronte protokolli të shkonte. Ishte një takim informal që Rama i bën për llogari të vetat, mjafton të shohësh edhe veshjen e tij me tuta e atlete.
Si pëfundim, Zamira Rami duhet ta ndajë mendjen. Ose të mbështesë aksionin opozitar që e demonizon Edi Ramën dhe kërkon urgjentisht rrëzimin e tij, ose të vazhdojë me falenderime dhe elozhe publikisht. Nuk ka kuptim që ta nisësh javën me falenderime për Edi Ramën dhe të darkosh me të, ndërsa në fundjavë të shkosh në shesh me Monikën dhe Lulin për të kërkuar rrëzimin e tij. Me një dorë në kadaif dhe një tjetër në bakllava nuk shkon. Zamira Rami duhet të pozicionohet qartë se me cilën palë është!
© ArgjiroLajm.net