Nga Felix Steiner (Opinionist në Deutsche Welle)
…dhe tani Mançesteri! Përsëri terror në zemër të një metropoli të Evropës. Një tjetër sulm ndaj njerëzve që donin vetëm të argëtoheshin. Një atentat vetëvrasës. Dhe përsëri përgjegjësinë për terrorin vdekjeprurës e mori përsipër i ashtuquajturi “Shteti Islamik”, madje përpara se policia të jepte ndonjë të dhënë mbi autorin e veprës.
Shumë e keqe ka qenë këtë herë zgjedhja e vendit për të bërë sulmin terrorist: koncerti i një ylli muzike për adoleshentët. Prandaj mes viktimave ka shumë fëmijë dhe të rinj. Ata që kujtojnë rininë e tyre, ose kanë vetë fëmijë që janë në moshë adoleshente, e di se si i presin fëmijët dhe adoleshentët një mbrëmje të tillë. Se si përgatiten ata dhe sa të lumtur janë kur marrin rrugën për të shkuar në koncert. Dhe bien pastaj në krahët e një vrasjeje të tillë shtazarake…Asnjë lloj terrori në këtë botë nuk mund ta justifikojë një vepër të tillë. Sa i sëmurë duhet të jetë ai që shënon me vetëdije dhe ne mënyrë të qëllimshme viktima të tilla?
Rutinë raportimesh dhe tmerri
Përjetime déjà vu edhe në trajtimin e terrorit. Në të gjitha faqet e lajmeve shihen të njëjtat tituj lajmesh:”Kronologji e terrorizmit”, “Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë”. Tregime që nuk thonë asgjë dhe që janë vetëm voyeuristike nga dëshmitarët okularë: “Njerëzit ulërinin dhe morrën vrapin” – e çfarë të bënin tjetër? “Kudo gjendeshin këpucë” – kjo është logjike për një brezë që mendon se lidhëset e këpucëve janë të modës së vjetër. Reaksione të panumërta nga bota e muzikës dhe e politikës: Ata duan të tregojnë që janë të prekur dhe duken të gjithë njësoj dhe të mësuar të bëjnë këtë gjë. Që në orët e para të mëngjesit nisen mesazhe në twitter, në mënyrë ekstreme. Të gjithë kujtojnë viktimat. Dhe të gjithë kombet e civilizuara janë solidarë në krah të Britanisë së Madhe. Pavarësisht se çfarë do të thotë konkretisht kjo në një ditë të tillë.
Ajo që nuk duhet të mungojë është edhe nxirrja e Kullës Ajfel në Paris në mbrëmjen e të mërkurës. Natyrisht një shenjë e zisë, e cila do të shihet në të gjitha portalet e lajmeve mëngjesin tjetër. Po ashtu si imazhet e kryeministres britanike në vendin e ngjarjes dhe në vendin e mbajtjes së ngushëllimeve në Mançester, i cili do të bëhet i ditur. Të gjitha këto tregojnë se Evropa, e cila sulmohet ndërkohë sipas një rregullsie të sigurt, e ka gjetur rutinën e vet se si të trajtojë tmerrin. Rituale, që duan të fshehin faktin që nuk ekzistojnë përgjigje të thjeshta dhe efektive në luftën kundër terrorizmit. Natyrisht që nuk mund të ekzistojnë.
Sikur të mos ketë ndodhur asgjë
Dhe nesër jeta do të vazhdojë normalisht në Evropë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Njerëzit do të vazhdojnë të shkojnë në koncerte, në qendra komerciale, në ndeshje futbolli ose në Gjermani do të shkojnë në Ditën e përvjetorit të Kishës. Mbase me një ndjenjë pasigurie, por ata do të shkojnë atje. Sepse rreziku i terrorizmit është pranuar prej kohësh si pjesë e normalitetit. E djathta ekstreme politike do e vlerësojë këtë si një shenjë dobësie dhe do të vazhdojë të kërkojë dëbimin e gjithë myslimanëve nga Evropa. Dhe gjithë të tjerët do e shohin këtë si sinjal force dhe vendosmërie. Sepse prej terrorit nuk duhet të frikësohesh dhe të mposhtesh.
Megjithatë para politikës ekziston një sfidë dhe politika e ka mundësinë për shembull me kontroll të fortë dhe ndalimin e të gjitha shtëpive të zotit dhe dhomave të lutjeve, në të cilat është bërë radikalizimi i terroristëve. Ato ekzistojnë në gjithë Evropën. Ose si veproi në mënyrë pragmatiste në Riad, Donald Trump, i cili i kërkoi rreth 50 kryetarëve të shteteve, dhe kryesisht Mbretit saudit, që të nënshkruajnë një marrëveshje për të ndaluar financimin direkt ose indirekt të IS nga vendet e tyre. Ka mundësi që kjo të mos sjellë shumë për luftën kundër terrorizmit në Evropë, por ajo tregon ku shkon e ardhmja. Dhe ka më shumë kuptim se sa të mos bësh asgjë ose të hedhësh bomba në qytetet e Lindjes së Mesme, ku jetojnë edhe civilë.