Diktatura nuk bënte dasi, persekutonte kudo, në çdo krahinë të vendit madje dhe në skaj të vendit Konispol ku solli mijëra vite burg dhe dhjetëra të pushkatuar, internime, dëbime dhe sekuestrime, vuajtje dhe tortura, me mijëra vite burg. Tragjedia e persekutimit komunist në Konispol vjen nëpërmjet dosjeve sekrete të nxjerra në dritë për herë të parë, ku e vërteta ishte groposur bashkë me vlerat intelektuale, kombëtare dhe patriotike të Konispolit dhe Çamërisë në tërësi, falë punës kërkimore dhe studiuese të AIDSSH, institucioni që u krijua një vit më parë nga qeveria Rama për të kuruar të shkuarën, duke nxjerrë në pah të vërtetën e regjimit diktatorial.
Regjimi komunist në Jug të vendit, Konispol
Regjimi komunist në Konispol nuk kurseu askënd, madje dhe ata që luftuan për çlirimin e vendit dhe një nga ato familje është familja Plaku. Një derë e ndritur, një shtëpi e mirë në krahinën e Konispolit, familja Plaku ra në hakmarrjen e regjimit komunist që i persekutoi dhe i vuri përballë togës së pushkatimit djemtë më të mirë, intelektualë e patriotë, si dhe burgosi me qindra vite burg 46 familje dhe dhjetëra të tjerë i internoi dhe i burgosi.
Kjo histori e trishtë, vjen e ekspozuar nga AIDSSH në një ekspozitë të hapur pak ditë më parë në Tiranë, duke hedhur dritë mbi errësirën e kohës së regjimit komunist dhe dosjet e pluhurosura të Arkivit të Shtetit që s’u panë kurrë, që nga mëkati i regjimit e 28 vite pas rënies së diktaturës.
Ekspozita nxorri për herë të parë 40 dosje të të persekutuarve dhe të ekzekutuarve nga regjimi komunist, ku ishin të pranishëm dhe familjarët e viktimave, të cilët me lotë në sy, rrefenin ngjarjet e tmerrshme të fëmijërisë së tyre. Lotë të kulluar, që ndrisnin në faqet e rrudhosura dhe portretet fisnike të trashëgimtarëve të të ekzekutuarve e të burgosurve në Konispol.
Lotë që u shkisnin në brazdat e fytyrave të skulpturuara nga koha, nga brengat, nga vuajtjet që u solli regjimi komunist, por që dukeshin sikur u zbusnin sadopak shpirtin e tyre të trazuar, sepse në ekspozitën e të afërme të tyre ishin portretet, dosjet e panjohura më parë, pra doli në pah e vërteta. E ndërsa njerëzit kujtonin emrat e të ekzekutuarve dhe vlerat e tyre intelektuale dhe patriotike, dukej si një lutje për shpirtrat e tyre, një paqe që më në fund vjen te trashëgimtarët, tamam lotë gëzimi, si për të ledhatuar e shëruar plagët e lëna hapur nga regjimi komunist.









