Dy të rinj, të dy 20 vjeç dhe banues në Bulqizë, janë arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës katër emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri me Greqinë.
Operacioni policor i koduar “Long Wait” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë.
Sipas njoftimit zyrtar, dy të rinjtë me inicialet L. A. dhe L. B. u lokalizuan në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, teksa transportonin me një automjet tip “Volkswagen” katër emigrantët, në këmbim të përfitimit financiar.
Gjatë ndërhyrjes, drejtuesit e automjetit nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por u kapën në flagrancë nga shërbimet policore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin kryhej transporti dhe dy aparate celularë.
Dy 20-vjeçarët akuzohen për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.









