Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit përcaktohet, se mësimi duhet të kryhet në një distancë 1.5 metra për çdo nxënës, ndërsa hyrja në shkolla do bëhet në një distancë prej dy metrash. Shkolla fillon me një sërë rregullash striktë duke nisur nga transporti, higjiena, justifikimi i mungesave, ndalimi i daljes së nxënësve gjatë orarit të shkollës etj. Mungesat tashmë do të justifikohen vetëm nga mjeku i familjes.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar protokollin që përcakton rregullat për hapjen e shkollave që nisin në 31 gusht për ata që humbën mësimin online gjatë kohës së pandemisë dhe 14 shtator që nis viti i ri shkollor. Të gjithë nxënësit do të hyjnë në shkollë me radhë me një largësi 2 metra nga njëri-tjetri. Nxënësve do u matet temperatura dhe nëse kanë simptoma të ngjashme apo temperaturë përpara ardhjes në shkollë, njoftohet mësuesi kujdestar, i cili, në bashkëpunim me mjekun e shkollës ose atë të familjes verifikon nëse nxënësi është i sëmurë apo jo. Justifikimi i mungesave tani do të bëhet vetëm nga mjeku i familjes. Nxënësit duhet të jenë të gjithë të pajisur me maska me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë) të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si dhe shami letre për higjienën e hundëve. Pas hyrjes në shkollë, nxënësve nuk do u lejohet që të dalin më nga godina dhe të rikthehen përsëri në të, brenda ditës. Lejohet vetëm një hyrje dhe një dalje në ndërtesën e shkollës. Dera e shkollës do të qëndrojë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor, do të qëndrojnë të hapura për të krijuar ajrosjen e nevojshme brenda tyre. Ashtu si hyrja edhe dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik si me lart (jo më pak se 1.5 metra), nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë dhe të punonjësve të tjerë të shkollës. Drejtimi i vendosjes së fëmijëve vetëm në një kah apo një drejtim, njëri pas tjetrit. Nxënësit që nuk zbatojnë këtë rregullore, trajtohen me masë disiplinore nga Komisioni i Etikës dhe i Sjelljes.
Qëndrimi në klasë
Mësuesi duhet që të qëndrojë në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit e tjerë, në 2 metra. Brenda klasës nxënësit duhet që të qëndrojnë të ulur nga një nxënës në bankë, dhe bankat në të paktën 1.5 metra larg njëra-tjetrës. Në klasat ku kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera.Do bëhet përditë matja e temperaturës dhe shkollat duhet të jenë të pajisura me higjienizues.
Nxënësi me shoqërues në tualet
Ministria e Shëndetësisë u kërkon të gjithë mësuesve që të sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato. Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Në këtë rast nxënësi duhet të shoqërohet, por nuk specifikohet se cili do të jetë mbikëqyrësi. Kur është e mundur, praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërm. Nuk lejohet ushqimi në klasë.
Transporti i nxënësve
Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë theksohet se transporti i nxënësve që kryhet me mjete të transportit të dedikuara ose publik, duhet të mbahet maska gjatë gjithë kohës së transportit (vajtje-ardhje) dhe këto mjete duhet t’i nënshtrohen rigorozisht udhëzuesit për transportin.
Ndalohen mbledhjet me prindërit
Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë për shkollat përcaktohet që takimet dhe mbledhjet ballë për ballë janë të ndaluara. “Klasat duhet të kenë aq nxënës sa lejojnë distancimin jo më pak se 1.5 metra nga njëri nxënës te tjetri. Janë të ndaluara takimet dhe mbledhjet ballë për ballë në ambientet e shkollës. Nëse nxënësi manifeston gjendje stresi dhe ankthi, ai i drejtohet shërbimit psiko-social të shkollës nëpërmjet mësuesit kujdestar dhe “Këndit të psikologut” online pranë DRAP-së. Në një klasë apo sallë laboratori të mos qëndrojnë më shumë nxënës se sa mund të qëndrojnë në atë mjedis duke respektuar distancimin social dhe fizik” thuhet në protokoll.
Kujdesi për higjienën
Udhëzimi përcakton se nxënësit duhet të ndërgjegjësohen dhe të mbahen në komunikim të vazhdueshëm për rëndësinë që ka distancimi fizik dhe higjiena personale në ambientet brenda dhe jashtë shkollës, nëpërmjet mesazheve sensibilizuese të shpërndara nga ekipi mjekësor dhe shërbimi psiko-social i shkollës. Nxënësve duhet t’u flitet çdo ditë për rregullat e higjienës, larjen e duarve, mënyrën e kollitjes, teshtitjes dhe mbajtjen e maskës. Çdo nxënës në shkollë duhet të lajë duart pas çdo veprimi që mund të përbëjë rrezik për përhapjen e virusit: prekja e hundës, syve, gojës etj. Të minimizohet prekja e herëpashershme e maskës, të kihet kujdes që gjatë heqjes të kryhet nga pjesa e pasme e maskës, si dhe larja e menjëhershme e duarve apo përdorimi i dezinfektantëve në fund të këtij procesi. Duhet të sigurohen nga struktura arsimore: uji i rrjedhshëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbajtje alkooli 60%, në të gjitha ambientet e shkollës.
Pampuri: Masat e Ministrisë së Arsimit, amulli në letër, ka shkolla pa ujë
Ish-deputetja e PD-së Oriola Pampuri, thotë se Ministria e Arsimit nuk është e qartë në lidhje me protokollet e fillimit të vitit të ri shkollor. Pampuri thekson se ka shumë shkolla që nuk i përmbushin dot kushtet e higjienës, pasi kanë mungesë uji të rrjedhshëm. Pampuri shtoi se masat nuk janë reale, por vetëm në letër dhe se i gjithë procesi i fillimit të shkollës është një amulli. “Nuk dihet nëse do të ketë një sistem survejance për fillimin e shkollës. A do të ketë kite dhe tamponë të shpejtë? Ministria në raport me protokollet nuk ishte e qartë. Mund të ketë fëmijë që vjen në shkollë dhe nuk ka shenja të qarta të Covid-19, por mund të jenë mbartës dhe ta shpërndajnë te shokët dhe familja. Gjermania diti ta menaxhojë më mirë sesa ne situatën, por sot po përballet me një situatë të rënduar të shkollave. Kemi qindra mësues dhe nxënës që janë të karantinuar pasi nisi shkolla në Gjermani. Pra, duhet të kemi parasysh një strategji më të mirëmenduar dhe të detajuar.
Nuk është çështja e maskave, e higjienës dhe dezinfektimit të duarve, por edhe këtë nuk e arrijmë dot se ka shkolla pa ujë dhe kushte. Ka shkolla që janë shembur nga tërmeti. Si do të procedohet me këto raste. Ministria e Arsimit nuk ka reaguar për këto raste.
Ka shumë shkolla që kanë problematika të mëdha për ujë të rrjedhshëm dhe kushte. Mua më habit fakti që për 3 muaj në pandemi nuk u morën masa për këtë situatë. Tani nuk mjaftojnë 2 javë për të plotësuar këto kushte. Ne si prindër e kemi primare sigurinë. Nuk duam të nisë një fazë e re me të infektuar”, shprehet Pampuri.