Në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak Gjirokastër, një ndër pikat në rendin e ditës është edhe shkarkimi i sekretarit të këtij këshilli, Semi Golemi, i zgjedhur prej gati tre vjetësh në atë post si përfaqësues i PS-së. Por me ndryshimin e balancave, PD dhe LSI duan të emërojnë aty një njeriun e tyre, për të reflektuar kështu vullnetin e shumicës së brishtë që këto dy forca krijuan në Këshillin Bashkiak Gjirokastër. Zërat thonë se LSI do t’ja japë PD-së edhe postin e Sekretarit të Këshillit. Kandidatura më e mundshme është ajo e kryetarit të Forumit Rinor të PD-së. Por përtej këtyre llogarive mes dy palëve, shkarkimi i pritshëm i Semi Golemit, me siguri nuk është ai që Zamira Rami do të donte.
Të paktën nëse e shohim nga pikëpamja e formës dhe simbolikës që ajo do të tregojë me këtë akt. Ka për të qenë thjesht një votim i zakonshëm në Këshillin Bashkiak dhe kaq. Mënyra ideale që Zamira Rami do të donte të shkarkonte sekretarin e propozuar nga PS, është ajo me të cilën kryebashkiakja e Gjirokastrës shkarkoi rreth dy vjet më parë Dashamir Qelin, ish drejtorin e Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Mendoni për një çast, Zamira Rami, e shoqëruar nga këshilltarët e PD-së dhe bashkëpunëtorët e saj në bashki, duke trokitur në zyrën e Semi Golemit. Natyrisht që pas saj janë edhe kamerat, ndoshta jo ato të televizionit që LSI kishte marrë me qira, por ndonjë kameraman i marrë me qira ose me klering. Është e rëndësishme që ky moment të dokumentohet dhe ajo të demonstrojë edhe njëherë se aty është e para e vendit dhe fjala e saj është ligj. Për ta përfytyruar tamam se si do e donte ajo shkarkimin e Semi Golemit, hidhni një sy pamjeve në videon më poshtë.
©ArgjiroLajm.net