Gazeta “Festivali 2000” që më dërgoi miku im, Stefan Arseni, përveç kënaqësisë së suksesit të një projekti artistik të dikurshëm, më ngjalli trishtim! Për të gjithë mbartësit dhe të apasionuarit e folklorit, po bëhen dy vite që ka ngelur pa përgjigje pyetja: “Pse nuk po organizohet FFK i Gjirokastrës?” Nga festivali i fundit në vitin 2015 kanë kaluar 7 vite dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për ngjarjen artistike më të rëndësishme të Kombit, FFK – Një nga thesaret e patjetërsueshme të indetitetit tonë si shqiptarë! E vërteta e anashkalimit të këtij aktiviteti shfaqet e dhimbshme përtej ditirambeve të korit të qeverisë për trashëgiminë tonë etno-kulturore! Trishtimi bëhet edhe më therës kur mendon se Ministrja e Kulturës, Margariti dhe Deputetja e zonës kombëtare, Kumbaro janë bija gjirokastrite… Pas shumë përpjekjesh në vitin e largët 2000, për rikthimin e FFK, në Gjirokastër nuk e kishim menduar se saga e tij ende do të vazhdonte! … Madje me Prof. Vaso Tolen kishim konstatuar se me 54 vitet mbi supe të një festivali folklorik, Gjirokastra rezultonte e vetme në jetëgjatësinë e një eventi të tillë në planin botëror!
Gjë e cila e lejonte qytetin të kërkonte me këtë rast një çmim të dytë nga UNESKO, kuptohet edhe të tjera benefite! Por sikurse thonë hallet e vërteta ndodhin, kur pikërisht ti ëndëron gjëra të bukura… Sjell ndërmend, se dikur në vitin 2000, në projektin për ringritjen e Gjirokastrës e konsideruam rikthimin e FFK në Gjirokastër në të njëjtën rëndësi me përfshirjen e qytetit në UNESKO! Dhe ia dolëm! Madje për të rikthyer FFK i falëm Butrinit me kërkesën e Ministrisë së Kulturës Teatrin Klasik në Natyrë… Koha vërtetoi se ringritja shpirtërore e kulturore, si dhe evidentimi i pasurive monumentale ishin një bazë e sigurt e nxitjes së turizmit e lulëzimit ekonomik të qendrës historike dhe krejt krahinës! Nuk kanë qenë rastësi investimet Fondit Amerikano- Shqiptar dhe Bankës Botërore në Mesin e Pazarit! Pasaporta e UNESKOS dhe ndërkombëtarizimi i FFK nxiti investitorët strategjikë të sensibilizoheshin kaq shumë! Ndofta pa ndërhyrjen e tyre dhe bukuritë e trishta të qytetit do të pulsonin si dritat e anijeve para se të zhdukeshin në thellësitë e oqeanit të harresës…! Atëhere, kur janë provuar vlerat shumëplanëshe të FFK, përsëri nuk më hiqet nga mendja pyetja: “Pse nuk po organizohet FFK i Gjirokastrës?” Aq më tepër që financimi i FFK është e shumta 5 herë më pak se instalacioni kreativ në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë!
Gjirokastrës i është dashur shumë mund, bujari e mençuri në mbijetesën festivalit të saj! Në ditët më të vështira, pranë saj kanë qenë artistët popullorë, studiuesit e pasionuar dhe specialistët ndërkombëtarë të kulturës, mbartësit e folklorit nga mbarë kombi, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës! Jo pa qëllim, si Kryetar Bashkie në fjalimin e hapjes së FFK 2000 ju drejtova me fjalët: “Mirësevini në qytetin tonë, në qytetin tuaj…” Për më tepër, do të doja të theksoja se impakti i festivalit i kapërcen interesat artistike e turistike! Shqiptarët janë një komb që i mban të bashkuar gjuha, doket, zakonet, folklori dhe etnokultura.. Prandaj, organizimi i FFK ka qenë dhe ngelet jo vetëm shpalosje e vlerave artistike, por dhe objekt studimi e përsosje e kësaj trashëgimie kulturore! Nënçmimi i këtij aktiviteti është një lakmues që evidenton mungesën atdhetare të përgjegjësisë dhe formimit etno-kulturor të çdo drejtuesi shtetëror që pengon zhvillimin e këtij aktiviteti./ Telegraf