Në fillim të kësaj jave prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj e mohoi përplasjen me kryebashkiaken Zamira Rami për menaxhimin e situatës emergjente. Në mbledhjen e shtabit në prefekturë ai tha se kjo nuk është e vërtetë, ndonëse dëshmitë e banorëve ishin bërë publike në media. Dhe sikur të mos mjaftonin këto dëshmi, konfliktin mes Aliajt dhe Ramit e konfirmoi sot edhe kryebashkiakja e Gjirokastrës. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Zamira Rami e zhvlerësoi rolin e prefektit në këtë situatë me të cilën përballët Gjirokastra, si dhe urdhërat e tij nda. Ja çfarë tha Zamira Rami.
“Nuk kënaqen njerëzit me pagesën e qirasë së shtëpisë në një vend tjetër ashtu siç thotë prefekti, i kam dhënë urdhër kryetares që të bëjë gati shtëpitë me qira… Nuk është kjo zgjidhje për banorët. Zgjidhje është që të vijnë të gjithë së bashku këtu poshtë dhe të themi që ne po punojmë dhe shumë shpejt do ta zgjidhim këtë gjë. Por kjo gjë zgjidhet vetëm duke e marrë në dorë qeveria shqiptare. Në asnjë moment nuk e kam mohuar që është mbledhur shtabi i emergjencave. Cfarë do të bëj shtabi i emergjencave? Thjesht organizimin dhe orientimin e puënve. Punët duan lekë!”, u shpreh kryebashkiakja me një ton të lartë zëri.
Konfliktin mes Astrit Aliajt dhe Zamira Ramit në situatën emergjente që po kalon Gjirokastra e zbuluan për mediat banorët. Ata thanë se prefekti Aliaj kishte kërkuar dorëheqjen e Zamira Ramit nëse ajo nuk e menaxhonte dot situatën. Nga ana tjetër Zamira Rami u kishte thënë banorëve se ajo ishte e pafuqishme në këtë situatë dhe se problemi duhej zgjidhur nga qeveria. Për të parë të plotë fjalën e Ramit sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, shihni videon më poshtë.
©ArgjiroLajm.net