Një ekspeditë speleologjike në shpellën “Sterra e Kujunxhiut”, pjesë e Parkut Kombëtar të Llogarasë, ka sjellë një zbulim të ri me vlera natyrore dhe shkencore.
Eksploruesit kanë zbuluar një zgavër të re me thellësi rreth 70 metra, e cila është pothuajse tërësisht vertikale.
Sipas të dhënave nga ekspedita, në fund të kësaj hapësire është gjetur një grumbull i madh gurësh, që dyshohet se ka bllokuar vazhdimin e mëtejshëm të galerisë së shpellës.
Gjatë eksplorimit është evidentuar gjithashtu prania e një numri të madh eshtrash të kafshëve të egra, mes të cilave të derrit të egër, drerit, ujkut, dhelprës dhe specieve të tjera.
Ky zbulim pritet të shërbejë si bazë për ekspedita dhe studime të mëtejshme, me qëllim përcaktimin nëse shpella vijon më tej, si dhe dokumentimin e vlerave të saj natyrore dhe speleologjike.
Ekspertët do të vijojnë kërkimet për të zbuluar më shumë rreth strukturës së kësaj shpelle dhe rëndësisë së saj në pasurinë natyrore të Parkut Kombëtar të Llogarasë.









