Gjykata e Sarandës ka lënë në burg drejtuesen e Inspektorit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Romina Pula, e arrestuar për lejimin e ndërtimit të një pallati 7 katësh pa leje në hyrje të qytetit. 31-vjeçarja u arrestua dy ditë më parë me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
“Arrest me burg” kërkoi prokurori Kledian Llaho, masë kjo e dhënë edhe nga gjyqtari Shkëlzen Licaj.
Sipas dy avokatëve Gjergji Imeraj dhe Agron Gurëbardha Gjykata pranoi se objekti 7 katësh ishte me leje, por u shpreh se kryeinspektorja nuk kishte ndërhyrë.
E pandehura nuk ka pranuar asnjë nga akuzat ndërsa se ka pohuar se ka ndërhyre prane subjektit kur ka patur shkelje. Pala mbrojtëse që kërkoi detyrim paraqitje, do të apelojë masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Pallati 7-katësh po ndërtohej nga biznesmeni Pando Papuçi, në një zonë të dukshme kodrinore, pa leje.
Por pavarësisht këtij fakti, IMT-ja vendore nuk ka ndërhyrë për të bllokuar punimet.
Kjo ka bërë që organet përkatëse të nisin hetimet ndaj drejtueses së inspektoratit dhe me urdhër të Prokurorisë, drejtuesja e këtij institucioni është prangosur dy ditë më parë.