Piloti i helikopterit Babis Anagnostopoulos u shtir sikur nuk e dinte se gruaja e tij Caroline kishte vdekur dhe madje ia ktheu trupin duke e pyetur “zemër, a je mirë?” pak çaste pasi Policia mbërriti në shtëpinë bashkëshortore ku ai kishte organizuar gjoja-grabitjen.
Kështu u dëgjua në një gjykatë të Athinës sot. Në fillimin e ditës së dytë të gjyqit të profilit të lartë të Anagnostopoulos për vrasjen e Caroline Crouch, 20 vjeçe, oficeri i policisë Christos Vardikos tregoi se si pasi hyri në shtëpinë e çiftit në Athinë dhe u ngjit për në dhomën e gjumit lart, i pa Caroline të lidhur të shtrirë në shtrat ndërsa foshnja e saj Lydia i rrinte pranë, i prekte trupin dhe e shikonte të ëmën në heshtje.
Oficeri i tha gjykatës se Anagnostopoulos ishte ulur në një karrige pranë shtratit me duart e lidhura përpara dhe shirit ngjitës mbi sytë dhe gojë.
Ai shtoi: “Edhe e shoqja i kishte krahët e lidhur pas shpine me një copë. Fillimisht e zgjidha dhe e mora fëmijën që aty.”
“Sapo i pandehuri u zgjidh, gjëja e parë që bëri ishte të ulej në krevat, të prekte gruan dhe ta pyeste: “Zemër, a je mirë?”
“I thamë që ka mbaruar, ajo ka vdekur. Mund të themi se ajo kishte vdekur sepse ishte e gjitha e bardhë dhe lëngjet i kishin rrjedhur. Në një karrige pranë saj, të pandehurit i ishin lidhur këmbët dhe duart në pjesën e përparme të trupit. Fëmija ishte në gjunjë, krahët mbi trupin e nënës. Fëmija ishte e qetë dhe e heshtur.”
Z. Vardikos zbuloi se pasi u zgjidh dhe iu tha se Caroline kishte vdekur, Anagnostopoulos kërkoi të përqafonte foshnjën Lydia dhe u përpoq ta ngushëllonte, por policia e hoqi atë nga krahët e tij sepse ai “po e tundte shumë fort”.
Ai shtoi: “Ne menduam se ishte më mirë ta largonim foshnjën nga ai dhe nga skena, sepse ai po e tundte shumë fort. E mbajta fëmijën dhe i thashë Babis që të thërriste dikë që të kujdeset për të.”
Përveç vrasjes së Caroline, Anagnostopoulos është gjithashtu në gjyq për vrasjen e qenit të saj Roxy dhe dy akuza për tentativë për të shtrembëruar rrjedhën e drejtësisë. Pas vrasjeve, ai sajoi një mashtrim të hollësishëm se ato ishin rezultat i një vjedhjeje të dështuar.
Anagnostopoulos nuk i mohon vrasjet, por s’e pranon se është vrasës, duke këmbëngulur se ato nuk ishin “të paramenduara” dhe se ishte një “krim pasioni” i shkaktuar nga sjellja e Caroline.
Ai rrezikon burgim të përjetshëm për vrasjen e Caroline plus dhjetë vjet të tjera për vrasjen e qenit Roxy.
Z. Vardikos tha se gjëja e parë që pa kur hyri në shtëpi ishte trupi i qenushit Roxy i varur.
Ai tha: ‘Dëgjova një zë që bërtiste për ndihmë. U futëm në shtëpi dhe pamë një qen të varur. Atëhere kuptova se diçka nuk shkonte fare.”
“Kur ne ecnim, e gjithë dyshemeja e dhomës së ndenjes ishte e mbuluar me jashtëqitje qeni.”
Vardikos i tha gjykatës se ai dhe kolegu i tij, Kleanthis Antonopoulos dyshuan për historinë e Antonopoulos se hajdutët kishin sulmuar shtëpinë dhe kishin vrarë Caroline, sepse i shoqi ishte shumë i qetë dhe diçka “nuk shkonte”.
Ai vërejti: “Ne i thamë që të mos e prekte atë (Caroline), por ai vazhdoi ta tundte. Ishte sikur aktronte. Ne po shikonim një burrë që ose ishte në shok, ose nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte.
E gjithë sjellja e tij ishte paksa e çuditshme dhe dukej që ishte shumë i qetë.
Ai shtoi: “Në përvojën time 20-vjeçare nuk kam hasur kurrë diçka të tillë. Ne ishim të pushtuar nga ajo që pamë dhe kjo na ndikoi emocionalisht. Por kurrë nuk kam menduar se ai e kishte shpikur të gjithë në atë moment.”
Kleanthis shtoi: “Burri reagoi sikur gruaja e tij të mos kishte vdekur. Reagimet e tij ishin shumë të ftohta, aq të qeta në një pikë që nuk e kam hasur kurrë më parë. Ne ishim më të tronditur se ai.”
“Unë dhe Antonopoulos ishim bashkë për katër orë dhe asnjëherë ai nuk tha: “gruaja ime ka vdekur”. Gjatë gjithë kohës sime në polici, kjo është hera e parë që shoh një viktimë kaq të qetë dhe bashkëpunuese.”
“Ne u befasuam shumë me mungesën e tij të emocioneve kur pa qenin.”
Një pjesë kyçe e mbrojtjes së Anagnostopoulos është se Caroline “e çoi atë në tërbim”pasi ajo shtyu me forcë një krevat fëmijësh në të cilin flinte vajza e tyre 11-muajshe, Lydia.
Ndërsa ai e ka pranuar vrasjen, thotë se ishte një ‘krim pasioni’ pasi ajo e kërcënoi se do ta divorconte.










