Në fjalën përpara Asamblesë Kombëtare të PS-së, kryeministri Edi Rama ka folur gjatë edhe për reformën në administratën publike. Ai tha se do të ketë një shkundje të zyrave të shtetit nga parazitët dhe njerëzit që janë në pozicione të papërshtatshme me formimin e tyre.
Për ta ilustruar, Kryeministri dha këtë shembull:
“Kemi gjetur këngëtarë në Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Kuptohet këngëtarë të dështuar”, u shpreh Rama.
Më tej ai i shpalli ‘luftë’ Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të cilën e cilësoi si bandë shtetëtore.
“AKU-ja duhet të kalojë në shërbimin ndaj qytetarëve dhe të merret me higjenën, standardet, sigurinë ushqimore. AKU-ja është një thertore, një bandë shtetërore. Veshin një përparëse të bardhë dhe dalin nëpër dogana. Kjo histori do të marrë fund”, theksoi Rama.
Më tej ai foli për krijimin e një portali për infermierët, në mënyrë që punësimi i tyre të bëhet i ngjashëm me mësuesit.
“Të gjithë infermierët do të testohen do të marrin pikët. Asnjë parti s’do guxojë t’i fusë në punë apo ti heqë nga puna’, tha Rama.









