Ashtu si i kishte paralajmëruar në fundjavën e shkuar, Edi Rama ka urdhëruar sot sekretarin organizativ të PS, Taulant Balla, që të mbledh në një takim urgjent në Tiranë, 61 kryetarët e degëve të PS në gjithë vendin dhe t`ju shpallë vendimin për largim të shumë prej tyre.
Gjatë mbledhjes, Balla i ka njoftuar kryetarët e degëve, se shumë prej tyre do të largohen pas procesit zgjedhor, që ka nisur në PS dhe që përfundon më 15 Nëntor. Sipas burimeve brenda takimit, Balla ka deklaruar se pavarësisht se timoni i pushtetit u morr plotësisht, kryetari Rama është i pakënaqur nga rezultatet, në shumë zona të vendit.
Përfundimisht është vendosur, se në 16 bashki, degët e PS-së nuk do të kenë më kryetarët aktualë, por do të zgjidhen emra të rinj.
Këto bashki janë: Kamëza, Kavaja, Rrogozhina, Cërriku, Elbasani, Përrenjasi, Pogradeci, Posteci, Devoll-, Dibra, Vau i Dejës, Kuçova, Skrapari, Këlcyra dhe Shkodër.
Vetëm 4 ditë më parë, në selinë e Partisë Socialiste, Edi Rama mblodhi të gjithë kryetarët e partisë në rrethe dhe koordinatorët e zgjedhjeve të cilët I ka paralajmëruar ashpër. Ai ka kërkuar prej tyre që të dalin në terren për të folur sa më shumë me njerëzit, në kuadrin e fushatës për zgjedhjet Brenda partisë.
Takimi u zhvillua pa praninë e medias dhe ka zgjatur 1 orë e gjysmë. Mësohet se Rama u ka folur ashpër duke u kërkuar që të shkunden. Plani i tij për të “prerë” shumë prej kokave të krerëve të PS në rrethe është bërë i qartë sot, nga Taulant Balla.









