Llogari të hapura” nga e kaluara apo aktivitet i paligjshëm i viteve të fundit? Çfarë fshihet pas? Kjo është pyetja që oficerët e departamentit të vrasjeve në Athinë po përpiqen t’i japin përgjigje që prej ditës së djeshme, pas ekzekutimit mafioz të Irakli Davella dhe plagosjes së mikut të tij Edi Lolo.
Atentati u shënua mesditën e 15 dhjetorit 2024 jashtë ambienteve të një lokali në lagjen Thrakomakedones. Autorët qëlluan me gjakftohtësi, duke lënë të vdekur me plumb në kokë shqiptarin Irakli Davella, 47 vjeç dhe plagosën 46-vjeçarin, Edi Lolo
Viktima, baba i dy fëmijëve me origjinë nga fshati Mesopotami i Sarandës, dukej se kishte lënë pas të shkuarën e tij të paligjshme, por askush nuk mund të jetë i sigurt për këtë.
“Kanë kaluar shumë vite që nga viti 2011, kur emri i tij u përfshi në një dosje që lidhej me raste zhvatjeje, mashtrimi dhe falsifikimi. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kishim asnjë informacion që ai po vazhdonte jetën e tij të paligjshme,” tha një oficer i përfshirë në çështje.
Në vitet e fundit, 47-vjeçari raportohej si pronar i një kafeneje në zonën Agios të Peristerit, ndërsa kafeneja në Thrakomakedones, ku ndodhi ekzekutimi, ishte një vend që ai frekuentonte shpesh.
Duket se autorët ishin në dijeni të këtij zakoni të tij dhe për këtë arsye zgjodhën pikërisht këtë vend për të kryer krimin.
Sipas informacioneve të zougla.gr, që nga mesdita e djeshme, një sërë të dhënash për viktimën kanë mbërritur në katin e 11-të të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Atikës, të cilat po kontrollohen dhe vlerësohen.
Ndërkohë, hetimet për gjetjen e makinës së vjedhur Polo, që autorët përdorën për të arritur në pikën qendrore të veri-lindjes së Atikës dhe më pas për t’u zhdukur, janë në vazhdim.
Pavarësisht përpjekjeve, makina ende nuk është gjetur. Rruga e arratisjes së autorëve është një element i rëndësishëm për ecurinë e hetimeve dhe identifikimin e tyre.
Nga ana tjetër, 44-vjeçari që ndodhej me viktimën vazhdon të jetë i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit KAT, me një plagë të rëndë plumbi në kraharor.
Nga hetimet e autoriteteve rezulton se i plagosuri nuk ka qenë kurrë i lidhur me ndonjë aktivitet kriminal, duke ngritur mundësinë që edhe ai mund të ketë qenë objektivi i sulmit, dhe jo 47-vjeçari.
Mjekët thonë se gjendja e tij është kritike dhe do të duhet shumë kohë përpara se ai të mund të japë një deklaratë për policinë.
Bizneset e Irakli Davella
Irakli Davella rezulton të ketë marrë nënshtetësi greke në vitin 2009. Ai është pronar i një lokali në zonën e Peristerit në Athinë dhe gjatë verës jepte edhe automjete me qera në ishujt grekë.
Në vitin 2006 ai rezulton të ketë rregjistruar me vendim të Gjykatës së Sarandës, një biznes “Kafe-Bar-Restorant, si dhe tregëtimin e e artikujve të ndryshëm dhe ushqimor e pije alkoolike me pakicë dhe shumicë” në Delvinë, biznes i cili rezulton ende aktiv me NIPT K66424544U me qendër në Mesopotam, Bashkia Finiq.
Gjithashtu në vitin 2020 ai rezulton të ketë regjistruar biznes në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol për kultivimin e agrumeve, i cili tashmë është çregjistruar./zougla.gr/