Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarët Fabian Gjergji, 28 vjeç dhe Klesti Qose, 29 vjeç. Ata akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në Cosenza. Policia kishte kohë që i vëzhgonte shqiptarët, të cilët e fshihnin drogën në një lavatriçe.
Arrestimi i tyre u krye pas një hetimi të gjatë që kishte filluar që vitin e kaluar, ku prej operacionit “Black Horse” (Kali i Zi) janë arrestuar 8 persona. Në sajë të shumë përgjimeve, autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi totale prej 3528 kilogramësh marijuanë dhe 526 gramë heroinë. Sipas mediave lokale, droga sigurohej nga Ballkani.









