Pak ditë më parë në media qarkulloi lajmi i vdekjes së gruas së ish- diktatorit, Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha. Edhe pse bëri “xhiron” e mediave ky lajm rezultoi i pavërtetë. Reaguan familjarë të Nexhmijes që përgënjeshtruan lajmin. Por në një rrëfim për gazetën “ Dita” Nexhmija flet për herë të parë në lidhje me këtë ngjarje.
Duhet thënë se kjo është hera e dytë që Nexhmijen e “fusin” në varr para kohë. Ajo ka bërë një letër në formë urimi për shqiptarët dhe jep një përgjigje për lajmin e vdekjes. Ajo shkruan se ishte nusja e djalit, Pranvera ajo që e zgjoi nga gjumi duke i thënë: Ngjallu se të kanë vdekur para kohe.
“U zbavita. Ju e kishit shkruar shumë mirë në gazetë përgënjeshtrimin. E përgënjeshtruan publikisht edhe Pranvera dhe Teuta. Unë u zbavita dhe kemi qeshur me atë marrëzi. Isha shtrirë dhe po pushoja si çdo ditë, kur më vjen Pranvera dhe më zgjon: “Po ngjallu, më tha, se të kanë vdekur para kohe…” Nuk e morëm vesh se kush e fabrikoi atë lajm, por pak rëndësi ka kjo, pasi janë ata që na sulmojnë prej më shumë se njëzet vjetësh… Por mendoj se në përhapjen e atij lajmi kanë përgjegjësi edhe gazetarët, ata që e shpërndanë nëpër portale, pa e verifikuar. Ku është profesionalizmi dhe etika profesionale në këtë rast?” – u shpreh ajo.









