Nga Mero Baze
Në fushën e Sajmolës, 2 km në perëndim të Peshtanit, sot u nxorën eshtrat e para të një ushtari grek të vrarë në luftën italo-greke në mars të vitit 1941. Nuk është se u “zbulua” siç thuhet. Janë pjesë e një varreze të ruajtur me kujdes nga banorët e zonës prej vitit 1941.
Jam rritur me atë varrezë para syve. Ka qenë rreth një hektar tokë që nuk u punua kurrë nga viti 1941. As në kohën e komunizmit. Është në anën e poshtme të rrugës kombëtare Tepelenë-Këlcyrë. Përballë saj, vetëm 30 metra më lartë, në pjesën mbi rrugë, janë rrënojat e një monumenti ndërtuar nga ushtria italiane. Batalioni “Lupi di Toskana” u shkatërrua thuajse i tëri aty, në ofensivën e pranverës në vitin 1941, kur ushtria italiane kishte llogaritur ta sprapste ushtrinë greke, e cila kishte kapur Peshtanin dhe Këlcyrën qysh në janar 1941.
Aty nuk janë gjithë ushtarët e vrarë në luftë, por shumë pak. Gati një përfaqësim simbolik i tyre. Babi im, që i mban mend kur janë varrosur, thotë se mund të jenë 100 të tillë, nga rreth 800 që janë vrarë vetëm në atë betejë, dhe nga rreth 8 mijë që janë vrarë gjithësej. Po aq janë vrarë nga nga pala italiane, por ata i tërhoqën ushtarët në vitet ‘60.
Monumenti i ngritur në kujtim të batalionit “Lupi di Toskana” u prish në vitet e para të komunizmit, por rrënojat mbetën deri sot. Greqia nuk pranoi kurrë t’i tërhiqte ushtarët e vrarë dhe fati i tyre është një mizori e vërtetë.
Fëmijëria ime dhe e bashkëmoshatarëve të mi, është e mbushur me histori të trishta, ku çdo pranverë, kur bora shkrinte dhe në përrenjtë e thatë të Golikut që zbrisin në Vjosë, rrëshqisnin dhe eshtra të vrarësh, të mbetur pa zot maleve tona. Shumica e tyre ishin grekë, pasi italianët e kishin ushtrinë më të organizuar dhe arritën t’i mbledhin ushtarët e vrarë.
Fshatrat e shkatërruar tërësisht nga kjo luftë, u ringritën dhe mbijetuan edhe nga mbeturinat e luftës. Në oborret tona, saksitë e luleve, ishin predhat e mëdha të aviacionit, kryesisht britanikë, që nuk kishin shpërthyer, dhe ne i përdornim për vazo lulesh. Helmetat po ashtu ishin të përshtashme për vazo lulesh të varura në ballkone. Baruti i predhave, të cilat dinte t’i çmontonte çdo grua dhe burrë në fshat, përdorej për të ngjyrosur leshin, bombat e dorës, ato të lehta prej alumini, ishin në shumicë zile bagëtish, ndërsa “çadëret” greke dhe “çadëret” italiane, për të mbuluar kasollet e bagëtive.
Katër kilometra më tutje vendit ku po zhvarrosen ata pak ushtarë me fat që patën një varr, është përgatitur një varrezë me rreth 350 varre simbolike bosh, që presin të mbushen. Pra, nuk do të kemi realisht varret e ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri, por një varrezë simbolike të tyre, edhe pse në dukje masive.
Sot nuk është koha të bëjmë debat politik për të vrarët. Ata luftuan për Greqinë, që u rrezikua nga Italia, edhe pse u ra të vdisnin në tokën tonë. Por krijimi i një zinxhiri varrezash, shoqëruar me nga një ndërtesë të Kishës Ortodokse, krijon deri diku një debat politik, i cili në të ardhmen do të jetë shumë i pakuptueshëm.
Shqipëria nuk ishte pjesë e kësaj lufte, por viktimë e saj. Edhe pse Italia përdori arsye shqiptare dhe territor shqiptar për ta sulmuar Greqinë, e vërteta është se dy batalione shqiptare të angazhuar në këtë luftë, ai “Tomorri”, i udhëhequr nga Spiro Moisiu në Devoll, dhe batalioni që luftoi në Libohovë, thuajse dezertuan nga fronti, edhe pse ishin nën komandën italiane. Dhe kjo histori u keqpërdor gjatë nga Greqia, me vetëdije.
Tani që duket sikur ujërat po qartësohen, heqja e ligjit të luftës, qoftë edhe formalisht, siç është, duhet të ndodhë, përpara se varrezat të ndërtohen, pasi në të kundërt, do të legjitimojmë faktin që kemi humbur një luftë, që nuk e kemi bërë kurrë me Greqinë.
Shqipëria dhe Greqia janë dy fqinjë që kanë historinë më paradoksale në glob mes tyre. Ato janë dy vende të lidhura shumë fort mes tyre, dhe që kanë po ashtu, një bagazh të rënduar historik kundër njëri- tjetrit. Janë dy vende që kanë ligj lufte mes tyre, dhe po ashtu kanë një “Traktat Miqësie” mes tyre. Janë dy vende që janë anëtare të NATO-s dhe kanë detyrimin të mbrojnë njëri- tjetrin në rast rreziku, dhe po ashtu janë në luftë me njëri- tjetrin, formalisht. Janë dy vende që kanë minoritete respektive brenda njëri- tjetrit, dhe nuk kanë përcaktuar ende kufirin detar dhe atë tokësor. Janë dy vende që kanë të përbashkët besimin ortodoks dhe grinden pse kanë të përbashkët dhe kryepeshkopin e Shqipërisë. Është një histori tipike ballkanike.
Jam i sigurtë se në brezat që do vijnë, ushtarët e gjorë të vrarë për Greqinë në malet tona, nuk kanë për t’i lënë të qetë turistët që do t’i shikojnë aty dhe do të pyesin gjithnjë, pse u vranë. Dhe gjithmonë do të jenë gati dy shpjegime.
Çdo prill në Peshtan vijnë turistë italianë, disa pasardhës të ushtarëve të vrarë, që janë pjesë e “alpinëve” të sotëm italianë, që ngjiten në Golik, aty ku janë masakruar, dhe gjejnë gëzhoja, helmeta dhe eshtra të vrarësh, edhe sot e kësaj dite.
Në të ardhmen do të kemi dhe turistë grekë tek këto varreza. Edhe ata do të shpresojnë se janë duke takuar të parët e tyre, duke ndezur një qiri në varrezat simbolike, që janë ndërtuar bashkë me një Kishë ortodokse në “Grykë të Këlcyrës”.
Ndaj është mirë që kjo histori të balancohet dhe së paku “Gryka e Këlcyrës” të shikohet si një mundësi për të ndërtuar një muze në natyrë për luftën italo- greke, që vizitorët në brezat që do të vijnë, të jenë të qartë çfarë janë duke parë dhe çfarë ka ndodhur. Një muze neutral, me materiale të palës greke dhe italiane për atë histori, do të nderonte luftën e tyre aty, përkrah varrezave apo vendit ku janë vrarë, nga Peshtani deri në Këlcyrë.
Kjo do të na bënte më dinjitozë për të nderuar fatin e trishtë të ushtarëve të vrarë grekë, apo italianë, në tokën tonë, të cilët u bën pjesë e një lufte absurd, sidomos për palën italiane. Monumenti i “Lupi di Toskana”, por dhe simbole të tjera të ushtrisë greke dhe italiane, duhet të jenë pjesë e kësaj historie. Kështu, së paku ta përdorim të shkuarën tonë, për të adhmen tonë, për turizmin dhe paqen mes palëve, në një luginë që nuk ju nda kurrë as bukuria, as egërsia dhe as lufta. /tema