Botuesi i Gazetës TemA, Mero Baze, në një shkrim të sotëm ku analizohej veprimi i PD-së, që nxori kartelën që tregonte se një prej kandidatëve për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ishte edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës, ndër të tjera shkruan se ish-kryeministri Berisha ka kopje të informatizuara të dosjeve të Sigurimit. Sipas Bazes, ai i ka përdorur shpesh këto dosje sa herë ka pasur përplasje me kundërshtarët. Botuesi i Temës sjell në vëmendje një rast kur Tritan Shehu u rebelua kundër Berishës në vitet ’90 dhe në atë moment dikush e thirri me emrin ‘qukapik’. Baze aludon kështu se ky ishte pseudonimi i Tritan Shehut si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ja çfarë shkruan ai:
“Sali Berisha i ka kopjet e informatizuara të dosjeve të Sigurimit të Shtetit, prej vitit 1996, dhe i ka përdorur shpesh ato ndaj kundërshtarëve të tij në parti. Sa herë që ai ka pasur probleme me dikë në parti, punën e parë që ka bërë, ka qenë kontrolli në disqet e tij, nëse figuron të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Tritan Shehu e mban mend mire këtë skenë kur doli kundër Berishës dhe dikush ju ngrit në mbledhje, i shkoi para hundës dhe i tha “qukapik”. Por ka pasur dhe kopje fizike të tyre. Disa personaliteteve të PD, nga ata që vinin nga familje të persekutuara, ai u mbante dosjet në tavolinë për shantazh dhe ua tregonte gjithë miqve të tyre, për t’i distancuar nga ata. Por më keq se dosjet që bënte publike, janë dosjet që ka fshehur”, thotë Baze.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.