Lufta Parë Botërore e vuri Shqipërinë për herë të parë nën vëzhgimin dhe interesin e drejtë për së drejtë të Fuqive të Mëdha. Territoret shqiptare kishin qenë dhe më parë nën vëzhgimin dhe interesat gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha të paktën që nga Lidhja e Prizrenit por kësaj radhe ushtritë dhe shërbimet e tyre mbështetëse ishin të pranishme në territorin e Shqipërisë të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 29 korrik 1913. Për këtë arsye dëshmitë arkivore të kësaj kohe marrin një rëndësi të veçantë pasi janë dëshmi që paraqesin ngjarjet, balancën e forcave si dhe japin informacion të drejtë për së drejtë për popullsinë dhe jetën sociale. Përpos këtyre dokumentave arkivore ka dhe dëshmi të tjera të rëndësishme si reportazhe gazetash, letra ushtarësh të dërguara nga fronti apo dhe libra udhëtimesh , përshtypjesh dhe mbresash.
Një informacion shumë i rëndësishëm për Luftën e Parë Botërore, zonën e pushtimit italian dhe francez janë reportazhet e gazetarit të famshëm francez, korrospodentit të gazetës së famshme france “Le Ilustration” Robert Vaucher ( 1890-1977). Më 1910, ai shkoi të studionte për Shkencat Tregtare në Shkollën kombetare greke të gjuhëve e të tregtisë në Kostandinopojë nga ku filloi të dërgonte artikujt e tij te pare per Svicera Liberale. Shumë shpejt u gjend ne Romë në shërbim të agjencisë Stefani. “L’Illustration”, gazeta e famshme franceze, i besoi atij një post si korrespondent lufte, dhe nga viti 1914 – 1919, detyra e korrospodentit do e çonte nga Dardanelet në Serbi, në Shqipëri dhe në fund në Rusi. Në këtë të fundit ai nuk nguroi të transmetonte mesazhe konfidenciale për llogari të Francës, gjë qe do t’i kushtonte, sepse do te denoncohej nga bolshevikët si agjent i imperializmit francez.
Si korrospodent lufte në Shqipëri ai raportoi nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Leskoviku e Korça. Edhe pse nuk ishte një njohës i mirë i terrenit më parë apo edhe pse qe shkolluar në një shkollë greke në të cilat mësohej se territoret shqiptare të Shqipërisë së Jugut i përkisnin Greqisë, Robert Vaucher raportoi dhe shkroi shkrime që tregojnë për një etikë profesionale dhe shumë afër realitetit. Reportazhi që po botojmë është nga hyrja e trupave italianë në Tepelenë pikërisht në ditën e Krishtlindjeve në 25 dhjetor 1916. Deri pak më parë Tepelena si dhe disa territore të tjera ishin mbajtur pushtuar nga forcat greke dhe ishin bërë shesh luftimi mes çetave patriotike dhe terrorit të mbjellë gjithandej nga Legjionet te shenjta greke të organizuara kryesisht me të burgosur dhe luftëtarë nga Kreta. Voucher rrëfen edhe për Ali Pashën dhe kontaktet e tij me Napoleonin dhe trupat franceze në Korfuz, masakrën e Hormovës të organizuar nga grekët dhe Tepelenën e djegur nuk ngurron ta quajë një Pompe modern. Në rrëfimin etij ndihet keqardhja dhe ndjesia për ti qendruar afër realitetit por nuk mungon dhe gjuha e tipit kolonialist kur shqyrton veprimet e Ali Pashës ndaj francezëve si motive kusarie dhe në përgjigjen e ashpër të Napoelonit e shikon si të vetmen rrugë që duhet përdorur për të komunikuar me popuj të tillë. Po kështu ndihet një dozë romantizmi kur banorët ë Hormovës i konsideron si ushtarët e Skënderbeut të masakruar nga turqit, kur dihet e Hormova u shkatërrua në 1784 nga Ali Pasha Tepelena.
Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për Italinë. Qytetet që bënin pjesë në zonën e pushtimit italian ishin kryesisht qytete të vogla, përveç Gjirokastrës e cila numëronte rreth 11.000 banorë, popullsia e qyteteve të tjera nuk ishte më shumë se 5 mijë secili. Administrimi i qyteteve dhe zonave rreth tyre ishte me dorë të hekurt, përsa i përket marrjes së vendimeve administrative, por shumë më efektiv se ai i mëparshëm osman, përsa i përket krijimit të një kulture administrative, që do të vendosej në themelet e shtetit shqiptar pas viteve 20’.
Një eskursion në Tepelenë, 25 dhjetor 1916
Kuajt tanë rrëshqasin në kalldremet e lagështa të Gjirokastrës. Sapo u gdhi dhe ne zhytemi në mjegullën përgjatë rrugës më zhavorr duke iu drejtuar Drinos. Fshatrat janë të vendosura në shpatet e maleve, në luginë ku nuk mund të banohet sepse përmbyten shumë shpesh. Shpesh herë duhet të kalojmë përrenjtë, degë të Drinos dhe në fund kuajt tanë zhyten deri në gjoks në këtë lumë. Sidoqoftë, kalorësit e eskortës sonë luajnë me vështirësitë, ata i përkasin një shkolle të mirë. Gjenerali Komandant i Shqipërise Jugore është një kalorës i aftë. Gjatë disa ditëve të kaluara me atë, unë munda të vlerësoj guximin e tij dhe pa hezitim ndonjëherë e ndjek në udhëtimet e tij. Do të më kujtohen gjatë disa prej shkëmbenjve që iu ngjitëm me kal. Ndërsa patkonjtë e kafshëve tona rrëshqasin mbi gurin e lagësht, duke bërë shkëndija.
Pasi kaluam per herë të fundit Drinon në një urë të vjetër guri gungaç, rruga ndjek një grykë të ngushtë e piktoreske, pastaj papritmas të shpie në guaskën e thellë te Tepelenës në pjesën e poshtme të së cilës Vjosa shkarkon ujrat e baltosura. Dikur, Tepelena i ngjante një qyteti të fortë me kalanë e saj te lashtë te Ali Pashës së Janinës, muret mbrojtës dhe të lartë të së cilës zbresin pothuajse deri në lumë. Këto mure janë e vetmja gjurmë e mbetur e fuqisë së pashait të tmerrshëm që, me dinakërinë e tij, i krijoi shumë vështirësi gjeneraleve francezë H, dhe këtë e raporton M. A. Boppe, Ministri i Francës pranë qeverisë, në veprën e tij magjepsese: Shqipëria dhe Napoleoni. Perandori, i lodhur nga tradhtia e tij, urdhëronte më 15 mars 1811, Dukën e Cadores: “Bëjeni, ju lutem, një deklaratë nga mua pëe Pashain i Janinës. Ju do e njoftoni atë që me herën e parë që ai të parandalojë furnizimin e Korfuzit dhe të refuzojë kalimin e bagëtive dhe të ushqimeve te destinuara për këtë vend, unë do t’i shpall luftë atij. Butësia dhe mirësjellja nuk kanë asnjë vlerë pranë një njeriu të kalibrit të këtij kusari ”
Napoleoni, duke përdorur rrugën e vështirë, fitoi kauzën e tij. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet lënë pas dore në këto vende. Kur trupat italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhe mbërriten ne Tepelenë, ushtarët shprehen një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive, ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një iluzion. Legjionet e shenjta* e kishin shndrruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët grekë, dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre. Në këtë Pompé modern, aleatët tanë gjetën vetëm ca ciganë , pasi njéri ata mund të kishin vetëm emrin. Ata jetonin në rrënojat si kafshë në strofkat e tyre dhe ushqeheshin me bimë. Gratë që u sollën dru italianëve dhe refuzuan monedhat prej ari që iu ofruan si shpërblim, duke mos kuptuar aspak se për çfarë ato copa të vogla prej metali të pangrenshëm mund të përdoreshin. Aktualisht iu shpërndame bukë dhe miell me të cilat ato bëjnë galeta.
Me ardhjen e mbrëmjes, duhet të hipim në kuaj dhe të rifillojme rrugën për Gjirokaster. Nata bie shpejt, një nate e shkëlqyer Krishtlindjeje, e butë dhe e qetë. Ngado mbizotëron heshtja. Ndonjëherë, duke kaluar pranë një poste, ne shohim zjarre të mëdha rreth të cilave ushtarët janë të grupuar. Ne kemi kaluar tashmë më shumë se 70 kilometra, kuajt tanë të lodhur nuk vazhdojnë më. Me vijne ndermend të gjitha skenat e tmerrit që u zhvilluan në këtë vend, per tragjedinë e Hormovës, fshati shqiptar në të cilën, ka katërqind vjet, që gjatë pushtimit turk, muslimanët masakruan gjithë banorët e njohur si (të krishterë si të gjithë ushtarët e Skenderbeut) dhe konvertuan me forcë në Islamizëm gratë dhe fëmijët. Kur grekët u rikthyen, tre vjet më parë, ata u bënë shqiptareve myslimane një trajtim pak më të ndryshëm – hakmarrje me së shumti të urryer që goditën pasardhësit e këtyre të krishterëve të vrarë nga turqit!