Emisioni investigativ “BOOM” ka denoncuar shkeljet e procedurës së tenderit për rikonstruksionin e rrjetit të Ujësjellësit Memaliaj, zhvilluar nga Sha Ujësjellës Kanalizime Tepelenë, në cilësinë e autoritetit kontraktor.
Ankimi i njërit prej operatorëve pjesmarrës në këtë tender, i nisur brenda afatit edhe online, por edhe me postë rekomande, nuk është marrë në shqyrtim nga ana e autoritetit kontraktor.
Pas refuzimit për shqyrtim të ankimit nga ana e autoritetit kontraktor, ligji për prokurimin publik parashikon të drejtën e ankimit të operatorit ekonomik në Komisionin e Prokurimit Publik brenda afatit 10 ditor.
Por pa kaluar ky afat, sha Ujësjellës Kanalizime Tepelenë, ka lidhur kontratë me firmën fituese të tenderit, duke bërë shkeljen e dytë.
E pyetur në lidhje me rastin zyra juridike pranë Agjencisë së Prokurimit Publik shprehet se ankimi online i operatorit ekonomik, duhet të ishte marrë parasysh dhe ti ishte lënë operatorit pjesëmarrës në tender një afat i dytë për ta paraqitur ankimin edhe në formë jo elektronike, por me postë.
Sha Ujësjellës Kanalizime Tepelenë është në varësi të dy bashkive, Tepelenës dhe të Memaliajt. Ka qenë vetë Ujësjellësi autoritet kontraktor që ka prokuruar dy tendera, dhe për Ujësjellësin Memaliaj dhe për atë të Tepelenës, në të njëjtën kohë.
Kreu i Bashkisë së Tepelenës, thotë se drejtori i UK Tepelenë e ka bërë tenderin me stafin e tij dhe nuk ka asnjë kompetencë.
Tërmet Peçi: Kanë ardhur investimet që në korrik.Ne kemi ndërruar drejtuesin e institucionit. Që nga korriku e deri tani mua do më krijohet dhe një kolaps se unë kam shqetësismin tim, nuk kam shqetësimin e Memaliajt, ju keni të Memaliajt, unë kam timin. Që do të thotë janë dy investime, rrjeti i brendshëm i qytetit Tepelenë dhe rrjeti i brendshëm i bashkisë Memaliaj.Shqetësimi im është që unë duhet të vë në dispozicion dhe duhet të marr përsipër trafikun. Në të njëjtën kohë investimi i Ujësjellësit, i rrjetit të brendshëm është ankimuar. Është bërë një lëmsh që s`merr vesh i pari të dytin. Se futen firmat, bëhen me bashkim operatorësh dhe nuk e merr vesh i pari të dytin. Ka dhe një faj shteti që nuk lë një tavan, një dysheme.Se s’mund ta marrë ky Memaliajn, unë e kam pak a shumë informacionin.
S`mund ta marrë me 300 milionë lekë më pak ai, kur aktualisht në 2018 vetëm 30 % vlerë e investimit hidhet dhe mua më duhet që deri në dhjetor të kisha mbaruar. Unë personalisht duhet deri në dhjetor, për dy muaj afat kam lënë punime shumë, që ta marrë dikush që është një firmë prestigjoze dhe të më mbaroj punën mua.30% e vlerës është në tenderim, 70% është vitin tjetër.Të merrem unë me këto firma, ca me kazma, ca me lopata, ca me punonjës, të rri tani edhe 6 muaj. I kam dërguar një shkresë ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, që nëqoftë se nuk ke burime njerëzore të specializuara më dërgo një shkresë që ne ta mbështesim me burime njerëzore.
Gazetarja: Po e ka bërë me burimet e veta, apo me burimet tuaja?
Tërmet Peçi: E ka bërë me burimet e veta ai zotëria.
Specialistja e Prokurimeve në Bashkinë Tepelenë shprehet ndryshe nga drejtori i UK Tepelenë. Sipas saj, duhej marrë parasysh ankimi online, duke ju referuar VKM që ju referua dhe zyra juridike e APP dhe data e nisjes së letrës rekomande.
Gazetarja: Ju e merrni kur ju vjen online ankimi?
Specialistja e Prokurimeve, Bashkia Tepelenë: Ligjin mund ta shohësh, 914-ën edhe thuhet: Procedura me operatorët është në mënyrë shkresore, megjithatë thotë me operatorët t`i mund të marrësh, nëqoftëse do ta vendosësh të bësh komunikim elektronik, do vazhdosh komunikimin elektronik.
Gazetarja: Pra është një nga alternativat apo jo?
Specialistja e Prokurimeve, Bashkia Tepelenë: E ka lënë ai, e ka zgjeruar pak.Sepse më përpara ishe, po s`më erdhi shkresërisht , mbaroi filmi.
Gazetarja: Qartë, jam shumë dakord me këtë. Tani në momentin që ajo të vjen në datë 5 me postë, është nisur në datë 4 , ti merr datën kur të është nisur me rekomande , apo merr datën kur të vjen?
Specialistja e Prokurimeve, Bashkia Tepelenë:Absolutisht që rekomandeja.
Gazetarja: Datën kur niset rekomandeja?
Specialistja e Prokurimeve,Bashkia Tepelenë: Po.
Pasi ka parë emisionin e “BOOM”, Agjencia e Prokurimeve Publike i kthen përgjigje zyrtarisht redaksisë së emisionit, por në asnjë rast nuk i referohet kodit të procedurës administrative.
APP: Sa i takon pyetjes tuaj mbi afatin dhe mënyrën e paraqitjes së ankesës pranë autoritetit kontraktor në rastin kur ankesa depozitohet në rrugë postare apo me korrier sqarojmë se, ne baze te nenit 63, pika 2, te Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar (në vijim “LPP”), ankesa kundër vendimeve të autoritetit kontraktor i paraqitet, së pari, me shkrim, autoritetit kontraktor në fjalë brenda 7 ditëve nga dita e nesërme e punës kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për shkeljen e pretenduar, sipas këtij ligji.
Në këtë kuptim, operatori ekonomik duhet të sigurojë që ankesa e tij (në rrugë postare apo me korrier) të depozitohet pranë autoritetit kontraktor brenda afatit 7- ditor të përcaktuar në nenin 63 të LPP.
Ne nenin 78 te VKM Nr. 914, date 29.12.2014″Per miratimin e rregullave te prokurimit publik” te ndryshuar, percaktohet se: “Ankimuesi përdor formularin standard të ankesës, që përmban emrin, adresën, adresën elektronike të ankimuesit, referencën e procedurës konkrete, bazën ligjore, si dhe një përshkrim të shkeljes së pretenduar. Formulari i ankesës është pjesë e dokumenteve standarde të tenderit, të cilat janë të publikuara në faqen e internetit të APP-së”.









