Ashtu si edhe në Shqipëri, opozita malazeze po shkon drejt djegies së mandateve të deputetëve të saj. Lëvizja ‘Rezistoni 97,000’ në protestën e fundjavës deklaroi se do të bojkotojnë të gjitha zgjedhjet në vend, ndërsa qeveria duhet të japë dorëheqjen deri më 15 Mars. Protestuesit në Malin e Zi kanë kërkuar sërish dorëheqjen e Kryetarit të Shtetit dhe Qeverisë, Milo Gjukanoviç i akuzuar për akte korruptive. Ndërkohë, në Serbi në javën e 13-të të protestës ishte orgjinale bllokimi i rrugëve të Beogradit nga qindra shoferë që i binin borive të makinave në shenjë proteste.
Afishet mbuluan Beogradin me gënjeshtrat dhe premtimet e pambajtura të Vuçiçit.
Krahas sheshit qendror, protestuesit marshuan drejt tunelit që e kanë quajtur simbolikisht ‘Tuneli i Liqenit të Aleksandar Vuçiçit’, ku i gjetën muret të mbuluara me një substancë të zezë që pengonte afishet e tyre të qëndronin ngjitur.









